Agalliu thirrje Gjykata Kushtetuese: Shfuqizojeni Bordin e Transparencës

Deputeti i PD-së Arbi Agalliu përmes një konference për mediat, i ka bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese të shfuqizojë Bordin e Transparencës.

Kjo thirrje vjen një ditë pasi grupi parlamentar i PD depozitoi në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e Bordit të Transparencës për karburantit dhe zhbërjen e dy ligjeve të miratuara.

Në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, Agalliu tha se qeveria duhet të ulë çmimin e karburantit dhe të hartojë një paketë të posaçme fiskale për uljen e çmimit.

Deklarata e Arbri Agalliut:

Të dashur bashkëqytetarë,

Prej muajsh Shqipëria renditet në 10 vendet me çmimin më të lartë të karburanteve në botë. Ndërkohë që në Rajon vendi ynë ka cmimin më të lartë.

Po të bëjmë një krahasim të thjeshtë vetëm me dy vende të Rajonit Maqedoninë e Veriut dhe Kosovës, rezulton se:

Më 31 Gusht një litër naftë:

Në Shqipëri tregtohej me 248 lekë për liter;

Në Maqedoninë e Veriut tregtohej me 193 lekë për litër, ose 55 lekë më lire se në Shqipëri;

Në Kosovë, tregtohej me 205 lekë, ose 43 lekë më pak se në Shqipëri.

Qeveria në vend që të ishte në krah të qytetarëve, në vend që të kontrollonte tregun, në vend që të lehtësone barrën fiskale që të ulte cmimin, bëri propagandë dhe zyrtarizoi Klubin e Oligarkëve të naftës duke e qujatur Bord dhe duke i dhënë të drejtën të fiksojë çmimin e karburanteve.

Dje Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e këtij Bordi, si mekanizëm që po vjedh shqiptarët dhe po i varfëron ato edhe më shumë.

Ndërsa nxisim Gjykatën Kushtetutese për një shqyrtim të shpejtë dhe pa vonesa të kërkesës dhe mbrojtjen e interesit publik, Grupi Parlamenar i Partisë Demokratike kërkon nga Qeveria marrjen e dy masave urgjente për lehtësimin e situatës dhe uljen e çmimit të karburantëve.

Së pari, Qeveria të përdor autoritetin e saj për të ndikuar në veprimtarinë e Bordit për uljen e menjëhershme të cmimit të naftës, gazit dhe benzinës. Ulja e cmimit të karburanteve është lehtësim për vështirësinë ekonomike që po kalojnë mijëra familje shqiptare. Abuzimet që po bën Bordi gjatë gjithë këtyre muajve janë vjedhje e hapur ndaj qytetarëve dhe një abuzim që po kryhet me leje të Qeverisë nga oligarkët e naftës.

Së dyti, hartimi i një pakete të posacme fiskale për uljen apo heqjen e përkohshme të taksave që ndikojnë në cmimin e karburanteve. Pikërisht Qeveria e ka në dore uljen e cmimit të karburanteve duke ulur apo hequr përkohesisht taksa të caktuara, taksa të cilat po ju bëjnë të pa mundur jetesën shqiptarëve.

Sipas të dhënave zyrtare shqiptarët paguajnë shumë më tepër taksa për një liter naftë krahasuar me vendet e rajonit.

Nëse bëjmë një krahasim për të njëjtën periudhë rezulton se në Shqipëri, qytetarët shqiptarë paguajnë taksa në total 119.5 lekë për një litër naftë. Ndërkohë në Kosovë paguajnë 72.5 lekë për një litër naftë dhe në Maqedonin e Veriut 58.5 lekë për një litër naftë.

Për benzinën qytetarët shqiptarë paguajnë taksa në total 108.7 lekë për litër. Nderkohë në Kosovë paguajnë 73 lekë për litër dhe në Maqedonine e Veriut 69.3 lekë për litër.

Lehtësimi i taksave dhe tatimeve që ndikojnë në cmimin e karburantit do të ndalnin rrënimin e mëtejshëm ekonomik të familjeve shqiptare. Ulja e cmimit të karburantit do të ishte një lehtësim për vështirësinë që po kalojnë këto familje dhe që po i detyron të largohen nga Shqipëria. Sikurse tregoi edhe anketa e OECD në Shqipëri 79% e shqiptarëve emigrojnë pasi këtu nuk përballojne dot jetesën.

Situata e vështirë ekonomike kërkon ndërhyrje, kërkon vëmendje nga Qeveria, kërkon të hiqet dorë nga propaganda, kërkon masa urgjente. Koha është tani, cdo ditë që kalon e bën edhe më të papërballueshme jetesën për shqiptarët.

Ju faleminderit!

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *