Deputeti, Ervin Salianji ka reaguar në lidhje me abuzimet që janë bërë në rrugën “Kardhiq-Delvinë”, ku sipas tij fondet shtetërore janë shpërdoruar totalisht.
Përmes një postimi në rrjete sociale, ai kërkon që të hetohet ky aks rrugor për të cilin janë zhvilluar 9 tendera dhe janë shpenzuar qindra milionë euro.
“Rrugët e florinjta të qeverisë janë kthyer në autostrada abuzimesh dhe shpërdorimesh për llogari të qeveritarëve dhe oligarkëve afër tyre! Investigimi mbi rrugën Kardhiq-Delvinë përveç vonesave disavjeçare nxjerr në pah dhe abuzimet marramendëse që rëndojnë mbi popullin më të varfër në Evropë. Drejtësia ka detyrën historike të hetojë më së pari abuzimet e mëdha që shterojnë buxhetin, ngarkojnë qytetarët me taksa shtesë dhe pamundësojnë jetesën në Shqipëri! Hetimi i shpejtë i denoncimeve miliona eurosh dhe nxjerrja para përgjegjësisë penale të abuzuesve është emergjente në kushtet kur përditshëm po denoncohen afera të mëdha korruptive”, shkruan ai.