Çfarë halli ka Behgjet Pacolli dhe përse iu fsheh baca një kërkese të priza.al për të sqaruar situatën e Aeroportit të Vlorës?

Investimi me strategji kombëtare për Aeroportin e Vlorës, ka muaj që ka hyrë në një ngërç administrativ, ligjor dhe funksional. Ortakët që përbëjnë konsorciumin që po e ndërton akuzojnë njëri tjetrin për “hallet” e veta. Ndërkohë që ndodhin të gjitha këto, qeveria po rri dhe po vështron për sa largu.

Por çfarë po diskutohet dhe çfarë vështron qeveria për sa largu? Një investim strategjik me rëndësi jetike për vendin.

Ndërkohë që ndodh gjithë ky mishmash lajmesh dhe informacionesh të cunguara që më së shumti e kanë bërë lëmsh opinionin publik, ditën e djeshme, i “zoti” i punës Behgjet Pacolli reagoi në facebook. Nëpërmjet faqes së tij zyrtare në rrjetin social, Behgjet Pacolli nëpërmjet një statusi të gjatë, shkruajti shumë gërma por në thelb, publiku nuk kuptoi asgjë. E vetmja gjë interesante që na tërhoqi vëmendjen ishte një fjali e bacës Behgjet që ndër të tjera “akuzonte mediat” se askush nuk kishte kërkuar të dëgjonte anën e tij të historisë.

Menjëherë pasi e lexuam këtë shqetësim, se si mediat skanë kërkuar edhe versionin e bacës për këtë histori, ne si redaksi reaguam. Në bazë të kërkesës së Behgjet Pacollit që të dëgjohej në emër të transparencës, në adresën e emailit që vetë baca ka publikuar në faqen e tij në facebook, ne si redaksi i dërguam një email zyrtar ku i kërkuam të dëgjonim dhe të publikonim anën e tij të historisë.

Por emaili i dërguar, na u kthye mbrapsht. Adresa nuk ishte aktive. Në këto kushte, për ta çuar deri në fund përpjekjen tonë që baca Behgjet të dëgjohej, i kemi shkruar në inboxin e tij në facebook, duke i dërguar edhe emailin. Sërish nuk morëm përgjigje nga baca Behgjet.

Në këtë pikë ne si redaksi na lindin disa pyetje të cilat natyrisht që do t’i ndajmë me lexuesin.

Përse një individ që pretendon që po i bëhet padrejtësi dhe kërkon që zëri t’i dëgjohet, nuk reagon edhe kur mundësia “i jepet”?

A është vërtet Behgjet Pacolli në të drejtën e vet dhe po i bien në qafë?

Nëse po i bien në qafë, kush është “qafërënësi” dhe në çmënyrë po e bën këtë?

Përse hesht baca dhe nuk përgjigjet për mediat, bash në momentin që po vetë e kërkoi një gjë të tillë?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve, duke qënë se bëhet fjalë për një vepër të rëndësisë Kombëtare siç është Aeroporti i Vlorës do do të ishte e udhës që t’i merrnim nga baca Behgjet.

Por edhe nga Çim Peka i pranojmë përgjigjet. Mjafton që media dhe populli të dijë përgjigjen e pyetjes: “Çfarë e shqetëson në të vërtetë Behgjet Pacollin”?

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *