30 Maji Dita Botërore e Sklerozës Multiple, ja çfarë duhet të dini

30 Maji shënon çdo vit Ditën Botërore të Sklerozës Multiple.

Në vitin 2009 Federata Ndërkombëtare e Sklerozës Multiple e ka filluar shënimin e kësaj date. Falë kampanjave dhe aktiviteteve për nder të kësaj dite janë vetëdijesuar mijëra njerëz anë e mbanë botës.

Më shumë se 2.3 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me këtë sëmundje.

Skleroza Multiple është sëmundje e sistemit nervor, e cila paraqitet me ankesa dhe dhimbje të ndryshme, të cilat vijnë kohë pas kohe. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shiriti ngjyrë portokalli shfaq mbështetjen për njerëzit që vuajnë nga kjo sëmundje.

Skleroza Multiple

Skleroza Multiple është një sëmundje kronike që prek sistemin nervor duke shkaktuar një sërë simptomash të mundshme, përfshi problemet me shikimin, lëvizjen e krahëve ose të këmbëve, ndjeshmërinë ose ekuilibrin. SM-ja është një sëmundje që e shoqëron individin gjatë gjithë jetës, e cila dhe mund të jetë në formë të lehtë por edhe mund të shkaktojë paftësi serioze në shëndetin e individit. Kjo sëmundje mund të shfaqet në çdo moshë, por më e zakonshme është në moshat 20-30 vjeç, dhe haset 2-3 herë më tepër te femrat sesa te meshkujt.

Simptomat kryesore janë:

  • Lodhje;
  • Vështirësi në ecje;
  • Probleme me shikimin si p.sh.shikim i paqartë;
  • Probleme me kontrollin e fshikëzës së urinës;
  • Mpirje ose ndjesi si shpim me gjilpërë në pjesë të ndryshme të trupit;
  • Spazma dhe ngërçe apo ngurtësime muskulore;
  • Probleme me ekuilibrin dhe orientimin;
  • Probleme me të menduarit, të mësuarit dhe planifikimin.

 Cilët janë shkaktarët?

Skleroza Multiple është një sëmundje autoimune, ku sistemi imunitar sulmon sistemin nervor dhe kryesisht shtresën e cila mbështjell dhe mbron nervat (mielinën). Është e paqartë se cili faktor ndikon në sistemin imunitar që të sulmojë sistemin nervor, por shumica e ekspertëve mendojnë se mund të përfshihen një kombinim i faktorëve gjenetikë dhe mjedisorë.

Trajtimi i Sklerozës Multiple

Aktualisht nuk ka një mjekim për SM-në, por disa trajtime mund të ndihmojnë kontrollin e gjendjes shëndetësore. Trajtimi që i nevojitet një pacienti varet nga simptomat specifike dhe nga vështirësitë që ai ka.

Por mund të përfshijë:

  1. Trajtimet specifike për simptomat individuale të SM-së;
  2. Trajtimin e rasteve të përsëritura me ilaçe steroide për të përshpejtuar rikuperimin;
  3. Trajtimin për të zvogëluar numrin e episodeve të përsëritura duke përdorur ilaçe të quajtura terapia për modifikimin e sëmundjes;
  4. Terapitë e modifikimit të sëmundjes mund të ndihmojnë gjithashtu për të ulur apo ngadalësuar përkeqësimin e përgjithshëm të paaftësisë te pacientët me SM përsëritëse apo me SM progresive dytësore, të cilët zhvillojnë episode përsëritëse. Aktualisht nuk ka asnjë mjekim që mund të ulë apo ngadalësojë progresin e SM-së progresive parësorë ose SM-së progresive dytësore kur episodet përsëritëse mungojnë./priza.al

 

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *