16 mijë euro në total/ Tentoi të kalonte 4 emigrantë të paligjshëm, arrestohet turku në Qafë Thanë

Një person është arrestuar ditën e sotme nga policia kufitare e Qafë Thanës, pasi kishte fshehur në kamion 4 emigrantë të paligjshëm.

Bëhet me dije se shtetasi turk me iniciale M.T i kishte premtuar emigrantëve kalim të paligjshëm në BE, kundrejt shumës 4000 euro për person.

Njoftimi i Policisë:

Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”. Policia Kufitare e Qafë Thanës godet një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. U kap duke hyrë në territorin e Shqipërisë me 4 emigrantë të paligjshëm në kamion, vihet në pranga një shtetas turk.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në bazë të analizës së riskut, kanë kaluar për kontroll më të imtësishëm në vijën e dytë dhe në skaner, mjetin tip kamion të markës “Daf”, me drejtues shtetasin M. T., 49 vjeç, banues në Stamboll, Turqi. Në pjesën e brendshme të trailerit të kamionit, u gjetën 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 4000 euro personi, 49-vjeçari iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Veprimet e mëtejshme u kryhen nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, të cilët bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. T., për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për hetime të mëtejshme.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *