‘Zbërthehet’ një zyrtare, trau i Tunelit të Llogarasë sulmon prokurorin e SPAK Dritan Prençi, shantazh për të mos avancuar me hetimin e aferës 50 milionë euro

Sa herë SPAK kryen një veprim hetimor për plotësimin e dy dosjeve penale të hapura për aferën korruptive me Tunelin e Llogarasë, korrenti dhe turfullimi dëgjohen në Tiranë. ‘Trau’ i tunelit të korrupsionit hedh shukun e radhës me euro në gojën e të çakërdisurve mediatikë, për të sulmuar prokurorët e çështjes, me iluzionin se do i mjegullojnë rrugën parave që po ndiqet nga hetuesit dhe do t’i shpëtojnë ndëshkimit penal.

Teksa opozita ka humbur deri më tani tre palë zgjedhje duke i fryrë fyellit të inceneratorëve, edhe oligarkët dhe pushtetarët e aferës me Tunelin e Llogarasë mendojnë se mund të shpëtojnë duke u kapur pas inceneratorëve, çështja më e hetuar dhe stërhequr në historinë e pluralizimit prej 5 vitesh, me 60 të pandehur dhe disa zyrtarë në burg.

Ditët e fundit, një anëtare e Komisionit të Vlerësimit të ofertave për Tunelin e Llogarasë është ‘zbërthyer’ në SPAK, duke treguar marifetet për finalizimin e aferës 50 milionë euro, ndërhyrjet, zhdukjen e disa provave nga kompjuterat, urdhërat për t’ia hequr Rrok Gjokës dhe për t’ia dhënë turkut 50 milionë euro më shumë, i cili më pas ia jep Rrok Gjokës sa e kishte herën e parë, koordinimet, lëvizjet e parave etj.

Një hetues i BKH duket se ka sinjalizuar ‘traun e korrupsionit’ se zonja ka preferuar të mos e mbajë burgun, por të flasë. Menjëherë pas sinjalizimit, ‘trau i korrupsionit’ ka vënë në lëvizje kanalin mediatik, i cili ‘njomet’ nga Rrok Gjoka me paratë e tenderave publikë. Në shenjestër të sulmeve të cekëta është vënë prokurori i SPAK-ut, Dritan Prençit, i cili po heton njërën dosje që lidhet tërthorazi me Tunelin e Llogarasë.

Dritan Prençi, në kuadër të dosjes së ish kreut të ARRSH Evis Berberi, ka shtrirë hetimet tek kompanitë e kontraktuara për mbikqyrjen e punimeve për Tunelin e Llogarasë. Menjëherë pas rrëfimit të të ‘penduarës’ dhe disa javë pas sekuestrimit të dokumenteve të supervizimit të punimeve për ndërtimin e tunelit, rinisi një sulm i koordinuar ndaj prokurorit të njërës çështje, Dritan Prençit, i cili linçohet se nuk po heton ‘siç duhet’ dhe ‘siç duan ata’ inceneratorin e Tiranës, çështjen më të hetuar dhe ndëshkuar në historinë e Shqipërisë, me zyrtarë të dënuar deri në 3 herë.

Sipas tyre, SPAK duhet të fokusohet deri në fund të mandatit te inceneratori i Tiranës, jo tek 50 milionë eurot e tunelit, 5.5 miliardë euro të Bankers, qindra milionë euro të Kurum, dhjetëra milionë euro të fabrikës së pasurimit të bakrit, 6 milionë eurot për heqjen e nongratës, miliona eurot për Latifin etj. Duhet ‘të thellohet’ vetëm tek inceneratori i Tiranës, për të cilin ka arrestime, dënime të shumfishta, sekuestrime, konfiskime, rrethime etj.

Tërheqja e fijeve përvëlon pozita dhe interesa

Dy hetime janë hapur për tunelin e Llogarasë, projekt me të cilin dyshohet se janë përvetësuar 50 milionë euro. Prokurori i SPAK-ut Dritan Prençi po heton procedurën e kontraktimit të kompanive për mbikqyrjen e punimeve për tunelin e Llogarasë. Kompania Net Group, e ortakut të Berberit, Valter Begaj, në të cilën Berberi ka qenë ortak më parë, fitoi me një ofertë rreth 2 milionë euro garën për mbikëqyrjen, si bashkim operatorësh me kompaninë tjetër Hill International NV, me seli në adresën De Cuserstraat 91,108 CN, Amsterdam, Holandë.

Hetimi i dytë është hapur për tenderin e tunelit të Llogarasë, nën dyshimet për korrupsion, pastrim parash, manipulim të procedurave etj., pas një kallëzimi të Partisë Demokratike. Kallëzimi mori shkas nga një denoncim i ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, sipas të cilit tenderi për Rrok Gjokën u anulua pas takimeve në Ankara, duke ia dhënë një kompanie turke për 50 milionë euro më shumë. Kompania turke më pas kontraktoi kompaninë e Rrok Gjokës për të realizuar punime me vlerën që Gjoka kishte fituar tenderin fillimisht, pra 50 milionë euro më pak. Prokuror i dosjes së dytë është edhe kreu i SPAK-ut, Altin Dumani.

Të dy hetimet, përpos personave të mundshëm politikë, të çojnë tek një personazh kyç, i cili është oligarku Rrok Gjoka, përfituesi më i madh e parave publike pas Bashkim Ulajt. Rrok Gjoka është çelësi i zbërthimit të aferës së dyshuar. Rrok Gjoka ishte fituesi i tenderit, ku më pas pranoi anulimin e tenderit nga autoriteti kontraktor, për t’ia dhënë kompanisë turke me 50 milionë euro më shumë, e cila më pas kontraktoi sërish Gjokën për zbatimin e punimeve. Gjithçka duket se është e kordinuar. Rrok Gjoka vizatohet si maska e kësaj afere korruptive.

Nuk ka dyshim që llokmën e madhe e kanë marrë të tjerët, ndërsa Gjoka është përdorur si mbulesë. Por, lufta po bëhet për të mos shkuar tek Rroku, pasi nëse fija e tëhequr nxjerrë Rrokun, pas tij janë të tjerët, ustallarët. Ndaj shkopinjtë mediatikë po bien mbi prokurorin Dritan Prençi që të dëgjojë Altin Dumani. A do t’a dëgjojë Dumani hallin e tyre? Koha ka treguar se nuk dëgjon as nga korrpupsioni dhe as nga krimi.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *