Këshilli i Ministrave ka miratuar zyrtarisht emrin e Adela Xhemalit si drejtuese e re e Autoritetet të Mbikëqyrjes Financiare. Emri i saj i është dërguar Kuvendit të Shqipërisë dhe pritet që në seancën e radhës, ai të kalojë për votim.
Ish-zëvendësministrja e Financave, nëse merr dritën jeshile nga Kuvendi, do të pasojë në krye të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare zonjën Mimoza Kaçi. Adela Xhemali ka mbajtur postin e Zëvendësministrit të Financave dhe Ekonomisë gjatë periudhës shkurt 2020 – mars 2025.
Kështu duket se ka vendosur qeveria dhe znj. Xhemali po bëhet gati që “turravrap” të shkojë në zyrën e re të punës.
Por një mesazh i mbërritur në redaksinë e priza.al, e vë në pikëpyetje serioze procesin e përzgjedhjes së kandidates Adela Xhemali e më tej dhe legjitimitetin e zgjedhjes së saj në rast se votohet nga Kuvendi.

Ky denoncim vuri në lëzivje redaksinë tonë, e cila pas verifikimeve të kryera rezulton se bashkëshorti i zonjës Adela Xhemali, shtetasi Armand Muharremi pas një përvoje të gjatë në sistemin e taksave dhe atë bankar, së fundmi ka mbajtur detyrën e CEO së Këshillit Administrues së një fondi investimesh të një banke të nivelit të dytë.
Deri këtu nuk ka asgjë të ndaluar. Një profesionist i cili ka drejtuar një sektor të caktuar në një bankë private. Por ama ligji është ligj, dhe duke qënë se është i tillë, duhet zbatuar.
Dhe është pikërisht neni 5 i ligjit të funksionimit të AMF, që për shkak të pozicionit të bashkëshortit të saj pranë një banke të nivelit të dytë. Propozimi për emërimin e znj Adela Xhemali është i jashtëligjshëm.
Konkretisht neni 5 i rregullores së AMF pika ku flitet për zgjedhjen e antarëve të bordit thotë:
“ NUK MUND TË JENË ANËTARE TE BORDIT PERSONA TË CILET:
a-Në tre vitet e fundit kanë qënë ortakë, aksionarë, apo anëtarë të organeve drejtuese të subjekteve të mbikqyrura.
b-Kanë lidhje familjare me personat e parashikuar në shkronjën “a” të këtij paragrafi
c-në tre vite e fundit kanë qënë punonjës me kohë të pjesshme apo të plotë në subjektet e mbikqyrura.

Pra për tu zgjedhur kryetare e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare znj Adela Xhemali fillimisht duhet të zgjidhet anëtare e Këshillit Mbikqyrës. Por në ccdo rast, janë dy pika thelbësore dhe kryesore që në rast se do të votohej nga Kuvendi, do ta bënte procesin qesharak, në kufinjtë e kriminales.
E zeza e shkruar mbi të bardhë, e ndalon znj Adela Xhemali që të jetë kontrolluesja e ish vendit të punës së burrit të saj.
Qeveria që e miratoi emrin e saj për në krye të AMF e kreu shkeljen e parë.
Tani topi është në dorën e Parlamentit. Do të zbatojnë ligjin, apo do të jenë zbatues kokëulur të urdhrave të “njishit”?
©priza.al
