SULMI KIBERNETIK NDAJ GAZETËS DITA/ Si “PËRPUTHEN” Sali Berisha me nipin e Lym Ketës dhe përse procesi i përgjedhjes për kreun e “BKH” është një farsë kriminale (Kronologjia e një sulmi që kërkon të fshehë sekrete të mëdha)

Pak ditë më parë, kolegë nga redaksia e gazetës prestigjioze “DITA” e cila ka mbi 16 vite në tregun mediatik si në variantin print e si në atë online, u vunë nën presionin e jashtëzakonshëm të një sulmi kibernetik që nisi ndaj faqes së tyre. Natyrisht ekspertët e IT u angazhuan menjëherë për të kuptuar se çfarë po ndodhte. A ishte një sulm siç ndodh rëndom kur dikujt nuk i “pëlqen” një shkrim, apo diçka më shumë.

Duke ndjekur metodologjinë e sulmit kibernetik, ekspertët e IT të kontraktuar nga kolegët e “DITA”, arritën në konkluzione tronditëse.

Ky sulm kibernetik nuk po kryhej ndaj gjithë faqes së gazetës “DITA” online, por ndaj shkrimeve të caktuara. E duke u thelluar në hetimet e veta, ekspertët kompjuterik konstatuan që po sulmoheshin dhe po fshiheshin vetëm shkrimet që kanë të bëjnë me drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, apo ndryshe FBI Shqiptare, kunatin e narkotrafikantit Alban Peza, z. Joni Keta.

 

Përse ky sulm kompjuterik?

Redaksia e priza.al prej kohësh po denoncon me prova dhe fakte dy persona. Njëri është trafikant heroine, pengmarrës, pastrues parash dhe i maskuar si bisnesmen dhe quhet Alban Peza, ndërkohë tjetri është drejtuesi i elitës së hetuesisë Shqiptare, Byrosë Kombëtare të Hetimit Joni Keta, i cili përveçse nuk duhet të ishte në atë pozicion për shkak të lidhjeve familjare me persona me precedentë penal në trafik droge dhe pastrim parash, ka mëkatet e veta, jo vetëm për mënyrën e paligjshme që u zgjodh kreu i BKH, por edhe karrierën si hetues e ka plot “njolla” dhe pisllëqe që i qarkullojnë poshtë e përpjetë.

Natyrisht duke denoncuar me prova dhe fakte këto dy individë, njëri trafikant heroine dhe tjetri “rob i ligjit”, rrezja u zgjerua.

Çdo ditë që investigonim dhe hulumtonim nëpër dokumente rrethi i personave si pjesë e enturazhit të kunetërve Alban Peza (trafikant heroine) dhe Joni Keta (drejtues i BKH), vetëm zgjerohej.

U faktua se si Alban Peza, kunati trafikant i kreut të BKH Joni Keta është një person që 50 kilogramët e heroinës që agjentët grekë të antidrogës kapën në flagrancë në vitin 1999 do ta ndjekin dhe përndjekin gjatë këtë personazh të pandalshëm, i cili nga droga tek pengmarrja, kontrabanda dhe evazioni, na shfaqet si bisnesmen dhe investitor.

Kemi faktuar se si paratë e trafikut të drogës, Alban Peza së bashku me Vilson Ahmetin ish kryeministrin tranzitor të Shqipërisë, i investuan deri në Lugano të Zvicrës me residenca banimi, ashtu siç kemi faktuar dhe publikuar se Alban Peza është sekseri i ish ministrit të energjitikës Damian Gjiknuri me të cilin përveçse katin e zyrës në të njëjtin pallat në mes të “Bllokut” ndajnë dhe interesa financiarë ekonomikë të cilët jo vetëm pasuruan këta si individë por na varfëruan neve si popull, pasi faturat e pisllëqeve të tyre për të “fut” në dorë fushat e naftës, po i paguajmë me gjoba në arbitrazh ndërkombëtar.

Gjithashtu kemi publikuar dhe faktuar se si drejtuesi i FBI Shqiptare, Joni Keta që është kunati i këtij narkotrafikantit më sipër, nuk mund të jetë në atë pozicion, pasi jo vetëm ka jetuar, është veshur, mbathur dhe ka bërë jetë luksi me lekët e drogës së kunatit, edhe vetë gjatë ushtrimit të detyrës si Oficer i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda është përfshirë në disa raste mitmarrjeje.

Faktuam se si kunati i atij që duhet të hetojë krimin dhe korrupsionin në nivelet e larta, në të vërtetë është ortak në fushën naftëmbajtëse me atë që duhet ta kontrollonte. Pra me ish drejtorin e ALBPETROL, Endri Puka dhe bashkëshorten e tij Ela Puka.

Pra redaksia e priza.al hulumtoi dhe publikoi një sërë materialesh ndaj dyshes së kunetërve të cilët njëri në drejtësi dhe tjetri në “bisnes” kërkojnë të gllabërojnë Shqipërinë për interest e veta dhe të atyre që këta i shërbejnë.

Asnjë media tjetër nuk pati guxim t’i ripublikonte apo riprodhonte shkrimet tona. Dukshëm pushteti financiaro-kriminal mbylli shumë sy e veshë.

Por nuk mbylli ato të gazetës “DITA” të cilët shkrimet tona i publikuan dhe madje bënë dhe ata investigtimet e veta.

Dhe në këto kushte, me logjikën e mikut të tij Ilir Meta, edhe Alban Peza bashkë me kunatin Joni Keta duket se vepruan “t’i biem më të fortit”.

Dhe e rëna sipas tyre ishte të sajonin një sulm kibernetik ku medemek të mos bëhej zhurmë e madhe por të fshiheshin vetëm shkrimet kundër tyre.

 

Çfarë zbuloi dhe faktoi gazeta “DITA”

Siç dhe më lart e thamë, kolegët e gazetës “DITA” bënë investigimet e veta dhe të dhënat e tyre ishin tronditëse.

JONI KETA ËSHTË ZGJEDHUR NË MËNYRË TË JASHTËLIGJSHME SI KREU I BKH.

Kaq ka mjaftuar, që truri i çartur i Alban Pezës dhe aprovimi i Joni Ketës të nisin një sulm “hajvan” kibernetik. Ata me të vetën ishin në rregull, por harruan që përveç zarave që kanë nëpër BKH dhe tek tuk nëpër polici, ka ekspertë të cilët janë vërtetë të tillë. Dhe kështu, në sulmin e tyre të çartur lanë gjurmë. Gjurmë fizike se kush ishin autorët, si edhe më të rëndën. Gjurmë morale dhe politike, ku kjo situatë, u bashkua me heshtjen që përkthehet në “aprovim” nga kryedemokrati Sali.

Si mundet ish kryeministri DEMOKRAT që ka varur medaljen e antikomunizmit në qafë, nuk thotë një çerek fjale për nipin e atentatorit komunist Myslym Keta që në mënyrë kriminale u zgjodh drejtues i BKH?

Përse heshti ky denoncues i paepur i komunistëve ndaj riciklimit të atyre që njësoj siç “lanë në gjak” komunizmin e Enverit, po lajnë me “të bardhë e të kuqe” demokracine e Saliut?

Gjithsesi Alban Peza dhe Jon Keta e bënë përpjekjen e tyre. Si përherë e “menderosën” duke lënë gjurmë dhe duke bërë veten akoma më pis se sa janë aktualisht. Dhe gjtihshka është rikthyer mbrapsht. Shkrimet janë sërish aty, por për respekt të publikut dhe lexuesit tonë, po sjellim të plotë, shkrimin e gazetës “DITA” që detyroi kunetërit që të vijojnë të zhytën në krim dhe paligjshmëri.

 

 

Shënim i Redaksisë DITAPara pak ditësh, faqja online e DITA-s u përball me një sulm kibernetik, i cili dëmtoi arkivën digjitale dhe çoi në fshirjen e disa materialeve editoriale.

Mes tyre ishte edhe një shkrim me interes të lartë publik. Ai trajtonte shkeljet procedurale dhe standardet e cenuara në procesin e përzgjedhjes së drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Pas sulmit, DITA kontaktoi një agjenci sigurie kibernetike ndërkombëtare, e cila zhvilloi një hetim dyjavor mbi incidentin. Sipas verifikimeve paraprake, ndërhyrja ka qenë e qëllimshme dhe e targetuar. Ajo nuk synonte bllokimin e faqes, por fshirjen selektive të disa shkrimeve.

Mes materialeve të zhdukura, më i ndjeshmi rezultoi pikërisht shkrimi për procesin e emërimit në BKH. Gjurmët digjitale (IP-të dhe modelet e aksesit) nuk janë të rastësishme dhe po analizohen për t’u përfshirë në një raport të posaçëm, që do të publikohet së shpejti.

 

 

Redaksia po ripublikon shkrimin e fshirë. Në fund ka dy shënime të rëndësishme për interesin publik:

SHKRIMI I FSHIRË PAS HAKIMIT TË FAQES:

 

Pikëpyetje të forta te ndërkombëtarët, dyshime për favorizim në përzgjedhjen e drejtorit të ri të BKH

 

Procesi i përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) është një nga mekanizmat më të ndjeshëm të reformës në drejtësi. Në thelbin e tij qëndron besimi publik se lufta e shumëpritur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do drejtohet më në fund nga merita, transparenca dhe integriteti.

Për këtë arsye rregullorja e miratuar nga Komisioni i Përzgjedhjes parashikon një proces me gjashtë faza të detyrueshme, ku pesë të parat janë testuese dhe kualifikuese, ndërsa e gjashta është vendimmarrëse, duke përfshirë identifikimin e kandidatit fitues dhe propozimin për emërim.

Një burim afër grupit ndërkombëtar që mbikqyr institucionet e reja të Reformës, i tha gazetës DITA se kanë dalë në sipërfaqe probleme serioze gjatë këtij procesi.

Sipas burimit që ka konsultuar dokumentacionin zyrtar, kandidati që më pas u propozua dhe u emërua Drejtor i BKH, Joni Keta, rezulton të jetë renditur ndjeshëm më poshtë se kandidatët e tjerë, pas përfundimit të fazave të testimit. Të paktën katër kandidatë të tjerë kishin rezultate më të larta në filtrat profesionalë dhe të integritetit.

Në aspektin e vlerësimit të dokumentuar në pesë fazat e para, ata janë paraqitur shumë më konkurrues se emri i propozuar në fazën e gjashtë nga komisioni me tre vetë i SPAK.

Ligji i jep SPAK-ut diskrecion në fazën finale, por diskrecioni nuk është sinonim i mungesës së arsyetimit. Kur një renditje zyrtare përmbyset, arsyeja duhet të jetë e dokumentuar, e argumentuar dhe e komunikueshme për publikun. Në mungesë të këtij arsyetimi, lind dyshimi se vendimi ka qenë më shumë selektiv sesa meritokratik.

Burimi theksoi se situtën e ka bërë më të rëndë fakti që ka patur mendim kundërshtues brenda vetë Komisionit të Përzgjedhjes. Një nga tre anëtarët e Komisionit e ka shënuar zyrtarisht mospajtimin me vendimin.

Ky është një element shqetësues dhe një fakt me peshë të madhe institucionale, sepse tregon se nuk ka pasur konsensus profesional dhe vendimi nuk ka qenë i vetëkuptueshëm as për vetë organin përzgjedhës.

Situata komplikohet më tej nga ekzistenca e audio-regjistrimeve dhe debateve të forta në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), ku janë artikuluar akuza dhe kundërakuza lidhur me procesin e përzgjedhjes. Fakti që diskutimi nuk ka qenë teknik, por konfliktual ka ngritur edhe te ndërkombëtarët dyshime për standarde të dyfishta.

Thelbi i kësaj çështjeje është standardi. Nëse renditja është anashkaluar pa shpjegim bindës, kurse mendimi kundërshtues dhe debatet e brendshme janë injoruar, rreziku është i qartë: BKH mund të humbasë autoritetin e vet moral përpara se të ushtrojë autoritetin ligjor tek të tjerët.

DITA u është drejtuar institucioneve të përfshira në këtë proces me disa pyetje në interes publik, të cilat për momentin kanë mbetur pa përgjigje:

– Pse u anashkaluan kandidatët e renditur më lart në garë?

– Cilat ishin kriteret konkrete që e përmbysën renditjen?

– Pse mendimi kundërshtues i një anëtari të Komisionit nuk u adresua publikisht?

– A u përdor faza e gjashtë si vlerësim real apo si justifikim formal?

– A i shërben ky precedent forcimit apo dobësimit të besimit te reforma në drejtësi?

Ligjshmëria formale është minimumi që kërkohet nga institucionet e reja të drejtësisë. Por për një strukturë si BKH, që ka mision hetimin e korrupsionit në nivelet më të larta, minimumi nuk mjafton.

Pa transparencë, pa arsyetim dhe pa besim publik, edhe një proces “i rregullt në letra” mund të perceptohet si i padrejtë.

Aq më keq, nëse edhe letrat çalojnë rëndë si në këtë rast.

 

VIJON ME:

1 – Kërkesa në KLP (ende pa përgjigje) për dokumentat e përmbysjes së testimit dhe kundërshtimet brenda vetë Komisionit Përzgjedhës

2 – Pse heshti Saliu për skandalin, kush ndërhyri tek ai për “nipin e Lym Ketës”. Kundrejt çfarë premtimi është marrë heshtja e tij, megjithëse ka dijeni të plotë  mbi atë që ka ndodhur, veçanërisht mbi marrëveshjen e fshehtë ku u përfshi një pjesë e rëndësishme e SPAK dhe KLP

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *