Pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019 vijojnë të ndihen edhe në prag të vitit 2026. Kjo jo shumë për hallexhinjtë që janë pa shtëpi dhe pa bonus strehimi, por për xhambazët e tenderave të cilët kanë që kur fatkeqësia e tërmetit ndodhi, vazhdojnë ta “mjelin” duke nxjerrë fitime kolosale. Madje ai që u quajt si proces “rindërtimi” është kthyer në një proces “mega pasurimi” për disa individë dhe subjekte të caktuara.
Kështu para pak ditësh, me autoritet kontraktor bashkia Durrës, është zhvilluar tenderi me nr. REF-61906-09-18-2025 me objekt “Rindertimi i godines nr 32 rruga Teodor Rupi”.

Ky tender me një vlerë rreth 5 milionë euro është tejet delikat, duke qënë se flitet për hedhjen në erë të një pallati 11 katësh të dëmtuar në një zonë të mbipopulluar e më pas ndërtimin e një pallati të ri në vend të tij.
Shumë ofertues u paraqitën në garë, por të gjithë u skualifikuan “dhunshëm” duke nxjerrë fitues bashkimin e operatorëve ekonomikë “ASI-2A CO” dhe “Zdrava shpk”.
Është bërë e udhës dhe aspak e habitshme që operatorët të skualifikohen “dhunshëm” nga tenderat, me qellim që të fitojë i “përzgjedhuri”, por duke qënë se bëhet fjalë për një tender delikat dhe me një vlerë të konsiderueshme, redaksia e priza.al u thellua pak më shumë rreth kompanive fituese.

Kështu na rezulton se kompania “ASI-2A CO” e cila e ka selinë në Fier, por ka pronarë dy vëllezër nga Vlora të cilët kryesisht operojnë me tendera në Durrës në tenderin 5 milionë euro të cilin tashmë e ka “futur” në xhep, ka përdorur dokumente të falsifikuara.

Faturat e mësipërme, të dorëzuara pranë komisionit të vlerësimit të ofertave, faktojnë që kompania “ASI-2A CO” ka përdorur një dokument për të cilin jo vetëm komisioni duhej ta skualifikonte nga ky konkurim, por kjo duhet t’i kushtojë sipas ligjit kompanisë “ASI-2A CO” përjashtim për 5 vite nga çdo tender.
Por kjo ende nuk ka ndodhur. As nuk u habit njeri se si kjo kompani guxon dhe fut dokumente të falsifikuara me të cilat fiton tendera miliona euro, dhe as merr njeri mundimin të pyese se si arriti “ASI-2A CO” të marrë në total 181 tendera në të gjithë vendin?
Redaksia e priza.al, ditën e sotme iu drejtua nëpërmjet formave zyrtare të komunikimit përfaqësuesve të “ASI-2A CO” por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi asnjë përgjigje.
Afera 5 milionë euroshe e demolimit të një pallati 11 katësh në Durrës, në kuadër të rindërtimit nga tërmeti, nuk është një histori ndaj së cilës as duhet heshtur, dhe as mund të kalojë me një artikull, siç mund të shkruhet për parashikimin e motit.
Redaksia e priza.al do të vijojë ta ndjekë këtë çështje, duke pritur përgjigje për pyetjet e mëposhtme:
- A keni depozituar dokumente te falsifikuara prane Komisionit te tenderimit?
- A eshte ligjore qe te fitohet nje tender me vlere rreth 5 milione euro, nderkohe qe fatura tatimore “NR SERIE 95607252” lëshuar nga ana e subjektit tuaj ndaj “Nikos Semanjaku PF” nuk rezulton e regjistruar në asnjë sistem?
3- A mund te klasifikohet si “pune e ngjashme” ndertimi i nje thertoreje nje pune qe nuk ka lidhje fare me thertoren si pune e ngjashme sic eshte demolimin i nje pallati 11 katesh ne nje zone goxha te banuar?
4-Cili eshte raporti juaj me shtetasin Ardi Iljazi, me detyre “Kryetar I komisionit te vleresimit te ofertave” i cili krahas 3 punëve publike që keni fituar dhe po i zhvilloni aktualisht në Durrës ju beson dhe një punë të katërt me vlerë goxha të lartë?
5-A keni paraqitur ne kete procedure ose ne procedura te ngjashme dokumente, fatura, apo dokumentacion mjetesh si psh kolaudime te falsifikuara?
6-Ne sa prej 181 tenderave te fituar ne gjithe vendin keni perdorur dokumentacione, situacione apo fatura tatimore te falsifikuara?
Përsa kohë drejtësia e re ka si objektiv të vetin zbulimin dhe ekspozimin e vibratorëve dhe tangave, grupet kriminale vijojnë të bëjnë kërdinë duke ndarë miliarda me tendera, ashtu siç ndajnë lekët e pokerit kur ulen nëpër tavolina me puro ndezur ku diskutohen fatet e vendit.
Vijon
©priza.al
