Njoftimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 2 prill, për rritjen e tarifave në shkallën më të lartë në mbi 100 vjetët e fundit, ka tronditur tregjet e aksioneve dhe ka shkundur ekonominë globale.
Njoftimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 2 prill, për rritjen e tarifave në shkallën më të lartë në mbi 100 vjetët e fundit, ka tronditur tregjet e aksioneve dhe ka shkundur ekonominë globale.
“Kjo gjë nuk është parë në një shekull sa i përket shkallës së tarifave, numrit të vendeve të prekura dhe thjesht shkallës së lartë të këtyre tarifave”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) Emily Kilcrease, hulumtuese në Qendrën për Siguri të Re Amerikane (CNAS).
“Mendoj se do të shohim tronditje që nuk mund t’i parashikojmë plotësisht, sepse nuk kemi parë kurrë një nivel kaq të lartë tarifash në epokën e globalizimit”, theksoi ajo.
Kjo goditje globale mund të prekë veçanërisht fort Bashkimin Evropian, thanë ekonomistët për REL-in.
Ndikimi i drejtpërdrejtë i tarifës së Trumpit prej 20 për qind ndaj produkteve të BE-së ka nxitur frikën për inflacion të mundshëm dhe të ardhmen ekonomike të prodhuesve të goditur brenda bllokut me 27 vende, të cilët tashmë po vuajnë nga tarifat amerikane për makinat dhe çelikun.
Ekspertët thonë se edhe sektorë të tjerë të mëdhenj, si industria farmaceutike e Evropës që eksporton shumë në tregun amerikan, mund të preken rëndë.
“Këto kompani farmaceutike do të përpiqen të shesin sa më shumë që munden në SHBA”, tha për REL-in Reid I’Anson, ekonomist në firmën e inteligjencës tregtare, Kpler.
Sa i fuqishëm do të jetë ndikimi i tarifave të Trumpit për Evropën?
“Ato mund t’i ulin pak çmimet për të mbetur konkurruese, por ka shumë gjasa që kërkesa në SHBA për mallrat evropiane të bjerë. Kjo do të reflektohet në një ambient më të dobët ekonomik në Evropë”, nënvizoi ai.
Tarifat janë në thelb taksë që paguhet nga importuesit dhe zakonisht u ngarkohet shpërndarësve, tregtarëve me shumicë dhe me pakicë, dhe në fund konsumatorëve.
Rreth 60 vende që kanë suficit më të madh tregtar me SHBA-në – përfshirë aleatë kyç si BE-ja, Japonia dhe Koreja e Jugut – tani përballen me tarifa shtesë më të larta se tarifa bazë prej 10 për qind, me dhjetëra vende të tjera që mund të përballen me tarifa që arrijnë deri në 50 për qind ose më shumë në total.
Gjatë njoftimi, Trump tha se tarifa bazë prej 10 për qind për pothuajse të gjitha vendet hyn në fuqi më 5 prill, ndërsa tarifat më të larta të ashtuquajtura “reciproke” do të fillojnë në fuqi më 9 prill.
Derisa ekonomistët thonë se regjimi i ri tarifor i shpallur nga Trumpi pritet t’i bëjë më të shtrenjta mallrat në SHBA, ai gjithashtu do të ndikojë në industritë në Evropë dhe gjetkë, të cilat varen nga eksportet në tregun amerikan.
“Eksportuesit evropianë, që shesin mallra në Shtetet e Bashkuara, do të duhet të paguajnë kosto më të larta, të cilat më pas u ngarkohen konsumatorëve amerikanë, por gjithashtu do të ndikojë në aftësinë e tyre për të shitur dhe do të humbasin pjesë tregu”, tha për REL-in Matthew Goodman, drejtor në Qendrën Greenberg për Studime Gjeoekonomike në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë.
Brukseli dhe qeveritë evropiane veç e veç ende po vendosin se si do të reagojnë. Negociata të mëtejshme mund të ndodhin, por perspektiva e tarifave hakmarrëse ndaj produkteve amerikane është reale.
