Është e vështirë të anashkalohet inaugurimi i presidentit amerikan, Donald Trump, më 20 janar, kur parashikohet politika e Bashkimit Evropian për vitin 2025.
Radio Evropa e Lirë ka biseduar me disa zyrtarë në bllokun evropian në javët e fundit dhe të gjithë duket se po presin se si të reagojnë ndaj shumë sfidave të ndryshme që administrata e re amerikane mund të paraqesë për bllokun. Kjo paparashikueshmëri, që pikë së pari duket se i bënë ata nervozë, së fundi u shpërfaq edhe me interesimin e Trumpit për Grenlandën, territorin danez.
Por, ka edhe çështje të tjera për të cilat zyrtarët evropianë po përgatiten. Njëra nga to do të jenë tarifat, duke besuar se premtimi zgjedhor i Trumpit për një tarifë universale prej 10 deri në 20 për qind ndaj importeve mund të ndodhë dhe kjo do të ishte e menaxhueshme, edhe pse ka frikë se disa produkte të caktuara do të goditen me tarifa më të larta. Një tjetër çështje ka të bëjë me kërkesën për shpenzime më të mëdha të mbrojtjes, me presidentin e ardhshëm që kohëve të fundit ka sugjeruar që 5 për qind e Bruto Prodhimit Vendor t’i kushtohet ushtrisë, teksa shumica e anëtarëve evropianë të NATO-s, mezi arrijnë të përmbushin objektivin e mëparshëm prej 2 për qind.
Ukraina
E ardhmja e Ukrainës sigurisht që do të jetë në qendër të vëmendjes, veçmas nëse ndonjë marrëveshje për paqe apo për armëpushim mund të ndodhë gjatë vitit 2025. Sërish, në Bruksel duket se është Trumpi dhe jo evropianët që do të duhet të kenë vëmendjen për këtë çështje. Në shumë mënyra, qëllimi për ta është që të paktën të sigurohet një “ulëse në tavolinë” – gjë që nuk është krejtësisht e sigurt. Fakti qëndron se evropianëve po u shterojnë idetë dhe nismat kur bëhet fjalë për Kievin.
Këtu vlen të përmendet propozimi i fundit i bërë nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka kërkuar që asetet e ngrira ruse në Perëndim, në vlerë prej miliarda dollarësh, t’i jepen Ukrainës për të blerë armë amerikane. Ky është shembulli perfekt i shmangies së Evropës në disa mënyra. Në radhë të parë sepse paratë do të shkonin në buxhetin e SHBA-së në vend të shteteve evropiane dhe së dyti për shkak se shumica e parave ruse janë në BE. Kjo do të thotë se potencialisht do të minonte Eurozonën si vend i mirë për investime nga shtetet e treta. BE-ja ka përdorur këto asete të ngrira si garanci për kredinë e fundit të G7-ës për Ukrainën, që do të mbulojë shpenzimet e Kievit për të paktën për vitin 2025. Dhe kjo është më e shumta që Evropa është e gatshme të bëjë deri në këto momente.
Sanksionet ndaj Rusisë
Ajo që është e sigurt është se BE-ja do të synojë t’i shkaktojë më shumë dhimbje Rusisë përmes sanksioneve. Gjatë Presidencës të Hungarisë të Këshillit të BE-së, në pjesën e dytë të vitit të kaluar, Brukseli miratoi masat më të dobëta, me qëllim që të mos përplasej me Budapestin, që është kritik i çdo mase kufizuese ndaj Moskës.
Tani, me Poloninë që ka marrë udhëheqjen e Presidencës, në Bruksel ka shpresë për një paketë të re që do të jetë e gatshme në 3-vjetorin e nisjes së pushtimit të Ukrainës, më 24 shkurt. Ka ide të ndryshme, sikurse shënjestrimi i gazit të lëngshëm natyror rus dhe këto ide do të shtyhen përpara nga disa shtete, por ka pak të ngjarë që të ketë pajtim në mesin e 27 shteteve anëtare, pajtim që kërkohet që paketa të miratohet
