Rama nis të mbledhë “trurin” e PD/ Ish drejtori i Tatimeve Artur Papajani emërohet në krye të Fondit të Kujdesit Shëndetësor, drejtori i ri ortak me Asllan Sherën që zhduku 5 mln eurot e INSIG-ut

Qeveria e re e kryeministrit të vjetër ka nisur lëvizjet e rradhës në nivel drejtorësh. Pasi rehatosi kabinetin qeveritar, tashmë rradhën e kanë drejtorët e përgjithshëm. Ditën e sotme u publikua lajmi se u shkarkua nga detyra drejtuesi aktual i FSKDSH (Fondi Kujdesit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor) Spartak Zakja.

Artur Papajani është emri i ri i propozuar për të marrë postin e rëndësishëm. Artur Papajani është një ekspert financiar dhe në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve. Edhe pse në dukje një pozicion “teknicien” dhe aspak politik, në të vërtetë lidhjet e Artur Papajanit ishin sa në nivel eksperti aq dhe në nivel politik.

I njohur si njeriu i Ritvan Bodes, i katapultuari si drejtor i përgjitshëm i tatimeve krijoi një “dorë” politiko-financiare e cila lidhej drejtpërdrejt me ish ministrin e financave të PD, tashmë të preferuarit të PS, profesor Ritvan Bodes.

Që pas largimit nga pozicioni i drejtuesit të tatimeve, pak kush kishte dëgjuar deri më sot për Artur Papajanin.

Sipas informacioneve të siguruara nga redaksia e priza.al, gjatë këtyre viteve “në opozitë”, Artur Papajani ka themeluar dhe është ortak në kompaninë Bussines & Tax Advice, ku bashkëortak është një miku i tij i vjetër Asllan Shera. Të dy Papajani dhe Shera i ka lidhur miqësia në ministrinë e financave dhe shërbimet e kryera ndaj ministrit Ritvan Bode.

Ortaku i Artur Papajanit ka qënë një ndër personat e hetuar për dosjen e bujshme “INSIG” që në fund u mbyll pa bujë hiç, siç ndodh zakonisht në vendin tonë. Por dosja INSIG për nga forma e abuzimit ka qënë një ndër dosjet më skandaloze të kohës e cila u mbyll në të njëjtën mënyrë.

Por çfarë ishte dosja INSIG dhe roli i ortakut të drejtor Turit

Një kallëzim pa emra mbërritur në prokurori nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit vuri në lëvizje organin e akuzës. Në dosje ndodhen emrat e personave që kanë abuzuar me detyrën. Ministria ka akuzuar indirekt dy ish-drejtorët e INSIG-ut, Saimir Zemblakun dhe Tomorr Kalanë, për veprime dhe mosveprime. Gjithashtu, në materialet që po hetohen nga njësia Task-Forcë, ndodhet edhe emri i Arben Breshanit, ish-drejtuesi i INSIG-ut, dega Kosovë. Më pas, përgjegjësia shkonte deri afër kupolës së Ministrisë së Financave, gjatë kohës që drejtohej nga demokrati Ridvan Bode. Prokuroria po shikon vendimmarrjet e ish-zëvendësit të Bodes, Alfred Rrushajt, në disa letërkëmbime që ka pasur me drejtuesit e INSIG-ut, ndërsa nën hetim janë edhe pesë anëtarët e këshillit mbikëqyrës të shoqërisë. “Po hetojmë vendimmarrjen e anëtarëve të këshillit mbikëqyrës të INSIG-ut, që janë: Petraq Milo, kryetar, Palok Kolnikaj, Asllan Shera, Omer Stringa dhe Lindita Rusmali anëtarë”, thanë burimet nga prokuroria. Mësohet se Asllan Shera ka qenë ish-këshilltar i ministrit Ridvan Bode, ndërsa personat e tjerë kanë mbajtur disa poste në Ministrinë e Financave.

 

Auditi 2009-2013

 

Në dosjen që ndodhet në duart e prokurorëve të njësisë Task-Forcë janë disa audite të Ministrisë së Financave, që ka kontrolluar INSIG-un. Raportet bëjnë fjalë për abuzimin e fondeve të sigurimit të shpenzuara për reklama dhe shpërblime ndaj punonjësve. Mësohet se dëmi i shkaktuar shtetit është përkatësisht 5 135 506 euro, që është shpërdoruar jashtë zërit të depozitimit për sigurime ose thënë ndryshe për bonuset e sigurimit tip TPL. Mësohet se për marketing dhe reklama u harxhuan më shumë se 3 milionë euro, për shpërblime ndaj punonjësve gati një milion euro dhe pjesa tjetër ka qenë shpenzime për riparime zyrash apo për blerje të vogla.

 

Përgjegjësitë

 

“Prokuroria ende nuk ka ngritur përgjegjësitë e para ligjore për këtë dëm që i është shkaktuar shtetit, duke e regjistruar procedimin penal pa emra konkretë. Megjithatë, në dokumente thuhet se ish-drejtorët e përgjithshëm, Saimir Zemblaku, Tomor Kalaja dhe ish-drejtuesi i degës së Kosovës, Arben Breshani, kanë hartuar disa raporte për këshillin mbikëqyrës. Më pas, këshilli, i kryesuar nga Petraq Milo, anëtar edhe i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë një vendim për problemet e miratimit të buxhetit për shpenzimet. Madje, Ministria e Financave ka gjetur dokumente false të hartuara nga këta zyrtarë dhe këshilli mbikëqyrës nuk i ka parë, por i ka kaluar, ndoshta pa i kontrolluar fare. Akuza dyshon se shuma prej 5 milionë eurosh i është ndërruar destinacioni dhe mund të jenë marrë ryshfet, por kjo ngelet për t’u zbardhur në ditët në vijim.”

 

Kështu thuhej asokohe, përpara se dosja të shfryhej dhe “kaposhi të katandisej në një thelë”. Që nga ajo kohë kanë kaluar disa vite dhe Artur Papajani dhe Asllan Shera përveçse bashkëdrejtojnë një kompani, por ashtu si edh ish ministri i tyre i djathtë, janë të “mikluarit” e rradhës së “narkodiktatorit” Edi Rama.

Rekrutimet vijojnë…!

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *