Pse Kënga Magjike pati fituese Anna Gjebrean!

Screenshot

Koha kalon shpejt, vitet vrapojnë pas njëri-tjetrit dhe ne me to, mes tyre krijojmë kujtime. Ashtu i kemi krijuar me Këngën Magjike. E kam kaluar fëmijërinë duke parë si artistët ngjiten në skenën e festivalit, kur numëroheshin veç disa numra, e sot, kur është mbushur një çerekshekulli, jam rritur unë, janë rritur artistët, janë rritur ata që janë po aq vjeç sa vetë festivali, por edhe të rinjtë që s’kanë mbushur as 20 vjeç.

Mes tyre mbaj mend Annën e vogël që u rrit krah babit, në pasqyrën e madhe të artistëve. E shihja gjithmonë aty, diku mes kamerave, mes zhurmës së skenës, mes këngëve që nuk i harrojmë dot. Dhe ja, erdhi viti i saj. Në netët që ka kaluar krah Arditit baba, Arditit artist, Arditit që çdo vit çel derën e Këngës Magjike si një shtëpi ku hyn kushdo që e ndien veten artist, Anna ka qenë gjithmonë aty, si një fije drite që rritej ngadalë, çdo ditë.

Anna është Anna. Një 16-vjeçare që ka fatin të jetë vajza e Ardit Gjebreas, por edhe të mbajë në ballë një yll të sajin. Yllin e talentit, që nuk ta jep askush me pahir, që nuk mund ta imponojë dot asnjë prind. Ajo është artiste më vete, me këmbët e saj, me zërin e saj, me ëndrrat që s’kanë më nevojë të maten me hapat e dikujt tjetër.

Kjo Këngë Magjike ishte fitorja e saj, një prej shumë fitoresh që jeta do t’i japë hap pas hapi. Jo fitore që maten me kupë apo çmim, por ato fitore të brendshme, të qeta, që vijnë kur diçka brenda teje arrin të flasë më qartë se çdo zë tjetër.

Trashëgimitë artistike janë të veçanta. Nuk trashëgohet dot fryma, zemra, pasioni, por trashëgohet një dashuri për muzikën që e ka mbajtur babai, e sot e mban vajza.

Ne nuk rrimë tek ajo anë lumi e komentuesve që pyesin pse Arditi ia “la” artin së bijës. Asgjë nuk është lënë. Asgjë nuk është dhënë me forcë. Ajo ka marrë vetëm atë që ka dashur vetë.

Kënga Magjike ka dhuruar magji çdo vit. Nëse numërojmë këngët e dashurisë, të zhgënjimit, të trishtimit, të jetës, të humbjeve të saj, të nënës, të fëmijëve, të ndjenjave që nuk shpjegohen dot me fjalë, të gjitha bashkë krijojnë një mozaik, një histori për secilin prej nesh. Dhe në këtë histori, viti 2025 shënon faqen ku shkruhet emri i Annës.

Një emër që nuk është vetëm mbiemri Gjebrea. Është një zë i ri, një hap i ri, një kapitull i ri në librin e gjatë të Këngës Magjike.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *