Rruga Qukës–Qafë Plloçë, një ndër projektet më të gjata, më të kushtueshme dhe më të stërzgjatura të infrastrukturës shqiptare, është shembur vetëm nga një shi i parë i vjeshtës.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë degradimin e shpejtë të një vepre që sapo ishte inauguruar, masa gjigande shkëmbore të rrëzuara mbi asfalt, barriera të shtrembëruara si fletë kartoni dhe një segment i tërë, i shkatërruar brenda pak sekondash.

Nga fotot e transmetuara sot në media duket sikur rruga është bombarduar. Shkëmbinjtë kanë çarë murin mbajtës në disa pika, ndërsa asfalti është dëmtuar. Për pasojë një mur guri me peshë mbi dhjetëra tonë ka rënë mu në mes të karrexhatës, duke e bërë qarkullimin të pamundur. Është e dukshme se shembja ka ndodhur në një pikë ku është bërë gërmim i thellë në trup të malit, pa konsolidimin e duhur të shtresave.
Për shembjen, Autoriteti Rrugor Shqiptar i ka larë duart me një njoftimku fajëson “Reshjet e dendura të shiut… që kanë shkaktuar çarjen e skarpatës dhe rënien e gurëve në trup të rrugës në km 35.” Me fjalë të tjera, rënia e masivit shkëmbor është konsideruar thjesht pasojë e motit, edhe pse aksi ka kushtuar qindra milionë euro dhe është projektuar për terren malor.
©boldnews.al
