OPOZITËS KATET, RAMËS MANDATET/ Kryeministri i dhuron leje për 29 kate kullë në bllok Dine Fratarit, ndërtuesit afër PD, e bija ishte kandidate për deputete

Në mes të fushatës elektorale kryeministri ynë batutaxhi u vu në qëndër të sulmit politik nga kundërshtarët për gjuhën bullizuese dhe ofenduese të përdorur. Bëri një “mea culpa” nëpërmjet një videoje por mesa duket, sedra nuk e ka lënë që faljen ta lejë me kaq.
Kryeministri ka menduar t’i kërkojë “falje” opozitës për gjuhën e përdorur në fushatë, duke qerasur me një leje kulle 29 kateshë në mes të bllokut ndërtuesin Hajredin Fratari.

Në mbledhjen e fundit të AZHT (Agjencisë së Zhvillimit të Territorit), që në vetvete është “zyra noteriale” ku vulosen kullat që kryeministri ka në kokë, është dhënë një leje për një kullë që në pikën më të lartë do të jetë 29 kate. Kjo leje është dhënë për kompaninë “Grupi Industrial Albanez shpk”. Kjo kompani e themeluar në vitin 2005, pak pas ardhjes së partisë Demokratike në pushtet, është në pronësi 100% të kompanisë “Fratari Construction”. Pronar i kompanisë Fratari Contruction është bisnesmeni tashmë 85 vjeçar, Hajredin Fratari.
Kush është Dine Fratari?
Hajredin Fratari e nisi bisnesin pas viteve 1990, pasi ai dhe familja e tij vuajtën disa vite burgje dhe internime nga regjimi komunist. I futur në rrugën e bisnesit si i “persekutuar”, askush në vitet e para të demokracisë nuk i refuzonte asgjë Dine Fratarit duke u bërë kështu ndër ndërtuesit e parë në kryeqytet, e po ashtu ndër të parët që nisën të kishin probleme e matrapazllëqe me pronarët e truajve e me metrat pa leje.
Me ardhjen e socialistëve në pushtet, atëherë në moshën 72 vjeçare, Hajredin Fratari i provoi sërish prangat. U akuzua për ndërtim pa leje në zonën e Selitës si edhe për mos zbatim të urdhrit të INUK për të ndalur punimet.
Arrestimi i Dine Fratarit solli irritim në rradhët e Partisë Demokratike aq sa një përfaqësi deputetësh me në krye Flamur Nokën ia behën në dyert e Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe kërkonin hesap për mikun e tyre ndërtues.
Në zgjedhjet e vitit 2021, në siglën e Partisë Demokratike dhe e promovuar fuqimisht nga të gjithë drejtuesit e saj, kandidoi në Tiranë për një mandat deputeti e bija e Dine Fratarit, Lediana. Vajza e cila u quajt asokohe një “yll në ngjitje i PD dhe zëvëndësuesja e Grida Dumës”, në fakt u mbajt mend vetëm për fushatën ultra luksoze dhe të shtrenjtë që zhvilloi në zonën e saj elektorale.
Por koha kur Lediana dhe Dinia “luftonin” kundër Edi Ramës që njësoj si gjyshërit, i burgosi mesa duket mori fund.
Projekti “Riverëay City” që nis së shpejti të ndërtohet në mes të bllokut nga Dine Fratari, nëpërmjet kompanisë Grupi Industrial Albanez është një goxha dhuratë kryeministrore për opozitën në kohë zgjedhjesh.
E përsa kohë katet shtohen, Ramës i falet çdo gjë. Mjafton t’i firmosë lejen e rradhës.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *