Në gjyq për mashtrim në 2 tendera, Fernand Nuha merr në tabaka 2.7 miliardë lekë nga Dritan Agolli

Pas çdo ideje ekstravagante të kryeministrit vjen Dritan Agolli i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, që e vë në jetë. Këtë radhë, në kryeqytetin e varfërisë në Bulqizë do të hidhen 2.7 miliardë lekë për një Park Retro në gërmadhat e ish-Divizionit të ushtrisë.

Pamjet që shihni më poshtë janë ambientet e amortizuara të divizionit.

Projekti parashikon rikualifikimin e Divizionit, një ish-bazë ushtarake e periudhës komuniste që ndodhet në lagjen e re të Bulqizës. Objekti, projektohet të kthehet në muze, me hapësira për aktivitete argëtuese, duke synuar të tërheqë vizitorë nga zona të ndryshme.

Në mënyrë arrogante duke shpërfillur nevojat e njerëzve në këtë zonë bëhet një tender korruptiv që do të sjellë pasoja sociale. Në këto godina jetojnë shumë familje që dikur kanë pasur pronat në këtë truall dhe ua ka marrë ushtria.

Në vend të këtij projekti, do të ishte prioritare që në këtë territor të ngriheshin shtëpi për të pastrehët, të hapeshin mensa për të ushqyer të varfrit, një qendër për trajtimin e traumave të punonjësve të minierës. Por këto nuk janë joshëse për t’u postuar në Facebook-un e kryeministrit.

 

Tender korruptiv me “Flamur të kuq”

Ndërkohë që njerëzit do të çuditen dhe diskutojnë në jehonën e këtij “super projekti” me rrugica të asfaltuara dhe lodra për fëmijë, Dritan Agolli ua ka gjetur vendin parave!

Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Ndërtimi i infrastrukturës së modeleve të integruara në zona me potencial zhvillimi, Bulqizë: Parku Tematik Retro, Bulqizë “Divizioni”, Loti 2: Infrastruktura”

Fondi Limit i caktuar për këto punë është 271,919,882 lekë pa TVSH, ndërsa procedura nisi më 4 korrik 2025.

Dy javë më vonë u mbyll afati dhe u mësua se ishin 24 operatorë pjesëmarrës të interesuar për këtë projekt të kushtueshëm. Gjithsesi, fituesi ka qenë i paracaktuar, prandaj aplikimet e tyre janë thjesht për të zënë radhën tek Dritan Agolli për tenderat e tjerë.

Më 6 gusht 2025, paratë i janë dhënë kompanisë “S.M.O.UNION” SHPK, së pronarit Fernand Nuha, që ka afat 18 muaj të zbatojë projektin.

Komisioni i vlerësimit të ofertave ka zgjedhur rrugën më të shkurtër për t’i dhënë kontratën Nuhës. “Skualifikim i të gjithë operatoreve konkurrues përveç fituesit”, kështu e ka klasifikuar tenderin Open Data Albania. Për shkeljet e vërejtura, procedura është shënuar me “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.

Kontrata i jepet biznesmenit që mashtron në tendera

Ferdinand Nuhu është mashtrues dhe keqinformon me të dhënat që paraqet nëpër tendera, sipas Agjencisë së Prokurimit Publik (APP). Më 19 shtator 2024, APP ka përfunduar procedimin administrativ për përjashtimin e operatorit ekonomik “SMO Union” Shpk, me NIPT J66902042Q, nga e drejta për të fituar kontrata publike për keqinformim për qëllime kualifikimi në dy tendera: “Sistemim – asfaltim i rrugës “Bregu lumit”, Fshati Gramëz, Nj. A. Thumanë, Krujë”, me fond limit 27.045.526 lekë (pa TVSH) dhe “Sistemim – asfaltim i rrugës “Kodër – Bubq”, Nj. A. Bubq, Krujë”, me fond limit 32.355.143 lekë (pa TVSH) zhvilluar nga Bashkia Krujë.

Me vendimin e mësipërm APP ka vendosur të përjashtojë operatorin ekonomik “SMO Union” Shpk, me NIPT J66902042Q, nga e drejta për të fituar kontrata publike, për 15 muaj nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Kundër këtij vendimi, shoqëria “S.M.O Union” i është drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, proces i cili akoma nuk ka përfunduar.

 

Nuha, klient i regjur i Dritan Agollit

Në këtë histori nuk ka asgjë të rastësishme. Nuha është klient i vjetër i drejtorit të FSHZH duke marrë llokma nga projektet e kushtueshme. Tre vjet më parë “Fondi shqiptar i Zhvillimit” harxhonte shifra kolosale për ndërtimin e dy segmenteve që lidhin rrugët nacionale me pistën ku mendohet të organizohet Formula 1.

Kjo projekt njihet zyrtarisht me emrin Auto-Moto Park me vendndodhje në Bashkinë e Elbasanit. Konkretisht është prokurimi me numër reference REF-38463-08-12-2022 dhe me objekt “Ngritja e infrastrukturës mbështetëse në funksion të kompleksit multi-funksional për zhvillimin e sektorëve të ndryshëm të motorizimit, Auto-Moto Park, në Bashkine Elbasan-Loti 1:Rrugët e Aksesit (Rruga Nezir Muzhaqi, seg I dhe Rruga Zija Luniku, seg II).

Fondi limit i tij është 547,562,825 lekë të reja pa TVSH ose rreth 6.5 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Sipas dokumenteve, fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “S.M.O. UNION” (në pronësi të Xhevat Vataksi, Fernand Nuha dhe Mehdi Shabani) + “BLERIMI” (në pronësi të Besmir dhe Behexhet Uruçit) + “SMO VATAKSI” (në pronësi të Xhevat Vataksi).

 

Drejtori i FSHZH nën hetim nga SPAK

Anomalia më e madhe e Drejtësisë është se u lë në dorë tenderat zyrtarëve që i ka nën hetim për shpërdorimin e fondeve. Ata le të prezumohen si të pafajshëm, le të qëndrojnë drejtora, por për të mirën e taksapaguesve, sugjerojmë që këtyre drejtorëve t’u hiqet e drejta të firmosin tendera!

Kujtojmë se drejtori i FShZH, Dritan Agolli, është nën hetim nga SPAK, ndër të të tjera edhe për tenderat e projektit “100 fshatrat”. Dritan Agolli është paraqitur në SPAK në nëntor 2024. Ai është pyetur për një tender me vlerë 500 mijë dollarë të FSHZH-s për një menu të projektit “100 fshatrat”.

Tenderi u fitua nga dy shefa kuzhine, një nga të cilët ishte i punësuar në një restorant në pronësi të djalit të Agollit.

Po ashtu, Dritan Agolli është pronar i një kompanie e quajtur ‘Magnum Opus’ group me objekt studime në nivel strategjik, menaxherial, operacional, analiza, vrojtime, sondazhe, konsulencë, shërbime administrative etj.

Kompania rezulton që ka marrë para publike. Agolli ka siguruar para publike përmes nënkontraktimeve dhe kompaninë që u ka dhënë tendera publik.

Ka një marrëdhënie që kreu i FSHZH ka kryer me kompani private, me të cilët i ka lidhur interesi.

Një vit pasi Agolli është emëruar në krye të FSHZH, i biri i tij deklaron se gjyshi i ka dhuruar një shtëpi me sipërfaqe gati 1550 metra/katror, ndërsa Agolli ka deklaruar në institucionin kundër pastrimit të parave se ka shitur një apartament 360 mijë euro, ndërkohë që vlera e tij ka qenë gjysmë për gjysmë në kohën e blerjes.

Me këtë lëvizje ka justifikuar blerjet e apartamenteve dhe garazheve ku ai jeton dhe i ka pronë të tij. Bëhet fjalë edhe për një shumë që do t’ia kalonte biznesit të djalit të tij, 400 mijë euro.

Marrë nga https://www.gijotina.com

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *