Nasipi distancohet nga Nuredini dhe lutet ta gjykojë Altini!

Sapo i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, deklaroi se i ka borxh jetën ish- ministrit Nasip Naço, prokurori Altin Dumani u vu në siklet…

Ngjan si përrallë me prokurorë e hajdutë, por jo, është realitet në rrethanat e rrethinave ende të palëruara nga parmenda e parë, e tërhequr nga një pendë qe, një i djathtë dhe një i majtë.

Kështu e kemi drejtësinë, një mafioz e një marangoz.

Ndryshe nuk punohet toka në fshatin tonë, ndaj edhe zihen nga një herë Edi Rama me Sali Berishën.

Lavra e kësaj pranvere, për fat të mirë, po vjen me shi.

Sapo i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, deklaroi se i ka borxh jetën ish- ministrit Nasip Naço, prokuror Altin Dumani, i njohur kohët e fundit edhe si engjëlli mbrojtës i Olsi Ramës dhe gjithë socialistëve sorosianë, u vu në siklet.

Do duhet Altini të hapë ombrellën që të mos laget një ‘peshk i madh’ që ka dalë në zall që ditën kur Ilir Meta hëngri një shtizë nga Kimetja që gjuante në grup me Elisa Spiropalin e Olta Xhaçkën.

Po ç’ka bërë Nasipi më shumë se shokët aman?!

Ministri, po llafosin ca “mistrecë” pabuksa, ka thyer ligjet e fshatit, duke përdorur një raport mjekësor të gënjeshtërt, se gjasme Nuredini ka vetëm 3 muaj jetë e duhet liruar nga burgu, e pas kësaj ngjarjeje të “bukur”, Altini do duhet ta ndëshkojë.

Pastaj, çdo e keqe ka pas një të mirë.

Të mos ishte Nasipi ministër, sot Nuredini nuk do të ishte bashkëpunëtor i drejtësisë, por një burgaxhi i shtresës së mesme.

Në mes ishte dhëndri i ish- ministrit të asaj kohe Nasip Naço, po Nuredini nuk kishte pse të falënderonte dhëndurët e familjes që merrnin shumë para për ndërmjetësime.

Nuredini nuk i ka harruar 40 000 eurot që ka paguar, por duket e di se ish- ministri nuk kishte nevojë për aq të holla, e hollë-hollë, sipas zakonit të fshatit, mirë bëri Nasipi që as nuk e mohoi faktin, as e mbylli derën e kullës ‘Dumani’ me shul.

Me elegancë u distancua nga Nuredini dhe kërkoi ta gjykojë Altini.

Ndërmjetësi i parave, për “fajin” që ta themi, është i vogël përballë bëmave që shohim për ditë, avokati Alban Bengasi, është bërë qull e pret të dalë në tokë të thatë, vetëm pasi të paguajë me burg gjestin që ngeli në gjysëm, ku as 120 000 eurot që i kishte dhënë Nuredin Dumanit pët t’i vrarë gruan, nuk e bënë punën deri në fund.

Fonemën e sistemit të drejtësisë, e njohin nga tingujt jo vetëm Nasipi, por edhe sirenat e Gjirit të Lalzit që u kanë marrë mendjen peshkatarëve.

Edhe pse poshtërsisht, poshtë e lart, hajdutët mburren e dëfrehen mes pasurive dhe pasigurive tona.

E besueshme është vetëm kjo fjali që nuk është prej përralle.

Ish- ministri Nasip Naço distancohet nga Nuredin Dumani dhe lutet ta gjykojë Altin Dumani

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *