Nga drejtues të FRPD-së në rrjet mashtrimi milionash, si u ndërthurën politika, bizneset portuale dhe call centerat në një kartel kompanish me dosje të mbyllura në heshtje…
Një rrjet i strukturuar call centerash me qarkullim dhjetëra milionë euro del i lidhur me figura të Forumit Rinor të PD-së dhe me ortakëri biznesi pranë familjes së Belind Këlliçit. Luis Hoxha, i përfshirë në disa kompani me aktivitet portual, energjetik dhe financiar, dyshohet se ka pastruar të ardhura nga mashtrimi i qytetarëve evropianë përmes një karteli shoqërish. Lidhjet me grupin kriminal të Andi Fosës dhe përfshirja e ish-drejtuesve të FRPD-së në këtë aktivitet ngre pikëpyetje serioze mbi financimin, mbrojtjen politike dhe mbylljen e dosjeve penale në Durrës. Investigimi hedh dritë mbi një skemë ku politika dhe krimi financiar duket se ecin paralelisht.
Deputeti i PD-së Belind Këlliçi del në pah si menaxher i përgjithshëm dhe mburojë politike e një prej grupeve më të organizuara të mashtrimit me call center në nivel politik, i njohur si grupi i çunave të FRPD-së. Kur Këlliçi ishte kryetar i FRPD-së, disa nga çunat e call centerave ishin në krye të degëve të FRPD-së. Paratë e aktivitetit kriminal duke u kamufluar pas Forumit Rinor të PD-së janë investuar në pasuri të paluajtshme, por dyshohet edhe për financimin e Këlliçit për të ngjitur shkallët e karrierës në PD.

Ky personazh në foto me Belind Këlliçin quhet Luis Hoxha. Ka qenë ortak me vëllain e Belind Këlliçit, Reshard Këlliçi në kompaninë e ngarkim/shkarkim të mjeteve lundruese dhe energjisë ALBANIAN STEVEDORING COMPANY (ASC) shpk., e cila ka marrë qindra mijëra euro nga Porti i Durrësit. Luis Hoxha është një prej kokave kryesore në Durrës të mashtrimit të qytetarëve evropianë përmes investimeve të rreme. Dikur pjesë e FRPD kur Këlliçi ishte kryetar, Luis Hoxha ka kontrolluar një rrjet të fuqishëm call centerash, duke gjeneruar dhjetëra milionë euro.

Miliona euro që u ka zhvatur qytetarëve evropianë përmes mashtrimit, shoku i Këlliçit, Luis Hoxha, i ka qarkulluar në një kartel kompanish ku përfshihen edhe FinTech Solution, ALBANIAN STEVEDORING COMPANY, VERTEX INVEST, BINDI MEDIA, Container Full Service Albania, BALCO, ALBANIAN TOURISM AND LOGISTICS (ATL), ALCoders Com, POWER AND GAS OPERATIONS (PGO), B Pro shpk, MEDIA CONSULTING shpk, Reber, LO-ALB 2020, BHG- Bell Hospitality Group, MLD -Mineral Logistic Durres etj., me aktivitet në Durrës dhe Tiranë.
Miliona euro dyshohet se ortaku i vëllait të Belind Këlliçit i ka pastruar në ndërtim, restorante, biznes peshkimi dhe energjie, servise, biznes për ngarkim/shkarkim të mjeteve lundruese, pikë valutore, marketing etj. Disa çështje penale për mashtrim, pastrim parash, kontrabandë etj., Luis Hoxha ka arritur t’i mbyllë me lehtësi në Prokurorinë e Durrësit.
Luis Hoxha është lidhje e ngushtë e kapobandës së call centerave, Andi Fosa, kreu i një grupi kriminal të mashtrimit që vepronte në Shqipëri dhe Kosovë. Fosa u arrestua në tetor 2021 nga Policia e Kavajës në bashkëpunim me Policinë e Durrësit, Interpol Tirana, FAST Kosova dhe FAST Albania për veprat penale “Mashtrimi“ i kryer në bashkëpunim, “Pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal me qëllim mashtrimin“ dhe “Pastrimi i parave”, ndërsa iu sekuestruan miliona euro.
Derivat i Luis Hoxhës është edhe Klaus Shaqiri, lidhje e ngushtë e Belind Këlliçit. Kur Këlliçi ishte në krye të FRPD, Shaqiri drejtonte degën e FRPD-së Vlorë. I njohur si ‘doktori i call centerave’, Klaus Shaqiri e ka kamufluar aktivitetin kriminal të mashtrimit me kompaninë Finantex, me emër të ndryshuar në CAREER DECISION MARKETING & DESIGN shpk, duke e kaluar në emrin e Kledia Tafilaku.
Shumica e ish drejtuesve të degëve të FRPD rezultojnë të përfshirë në aktivitetin kriminal të call centerave. Disa prej tyre janë nën hetim nga SPAK për mashtrim me pasoja të rënda, grup kriminal dhe pastrim parash. Shumica vijojnë aktivitetin kriminal të zhvatjes së qytetarëve evropianë përmes mashtrimit. Disa prej tyre kanë mbyllur zyrat dhe po pastrojnë miliona euro të grumbulluara në ndërtim, lokale, restorante dhe kompani fantazmë.
(Vijon…)
©Pamfleti
