Ditën e djeshme priza.al publikoi artikullin me titull: “I arrestuar disa herë/ Kush është Sokol Toma që i vdiq punëtori në kantier, ja rrjeti kriminal që mbushi Shëngjinin me ndërtime pa leje, rolet e grupit nga shefi i Urbanistikës në Bashki deri tek drejtori i Kadastrës Altin Gjergji” ( LEXO KETU www.priza.al ).
Artikulli të cilin mund ta lexoni duke klikuar më sipër, është një pasqyrim i një situatë tragjike që po ndodh në bregdetin e Shëngjinit. Pangopësia e disa individëve për të ndërtuar pa leje e jashtë çdo kriteri, tashmë po “mbjell” viktima, siç është ky djalosh në foton kryesore, i cili humbi jetën duke punuar në kantierin e kompanisë së Gjin Tushës me drejtues Teknik Sokol Tomën.

Ky që shihni në foto është kantieri, më saktë pallati 15 katësh pa leje, pa asnjë kusht sigurie nga ku ra fatkeqi 36 vjeçar duke humbur jetën. Për këtë ngjarje është shpallur në kërkim Sokol Toma, ndërsa për Gjin Tushën, administratorin e kompanisë, hiçgjë nga ana ligjore.
Kjo është fabula e artikullit të djeshëm të publikuar nga ana jonë. Ditën e sotme, në adresën e emailit [email protected] na vjen emaili i mëposhtëm

Pa dashur asnjë moment të biem në batakun e fyerjeve personale, le t’i përgjigjemi për pikat që shqetësojnë email dërguesin.
Na pyet se kush jemi ne që bëjmë këto denoncime. Dhe i përgjigjemi se ne jemi një kompani mediatike e regjistruar në organet tatimore sipas legjislacionit shqiptar dhe kryejmë misionin e gazetarit, duke publikuar materiale në interes publik.
Ku i keni provat?-na pyesni. Provat i keni përpara syve. 15 kate prova në këtë kantier ku gjaku nuk është tharë ende, dhe në dhjetra objekte të tjera që keni ndërtuar në Shëngjin, Kune Vain dhe Tale natyrisht pa leje ose me leje të falsifikuara.

Ju na lini një afat 24 orësh për të hequr videon, dhe ne ju përgjigjemi që të mos numëroni asnjë sekond e jo më minuta, ore apo dit, që dicka të hiqet. Asgjë nuk do të fshihet për arsye se pangopësia juaj, ka bërë që ende t’i keni nëpër këpucë, ciflat e gjakut të punëtorit 36 vjeçar që la jetën në kantierin tuaj.
Na thoni se nëse nuk plotësojmë kushtet tuaja, do të publikoni edhe ju identitetin tonë. Komike. Komike dhe qesharake. Cilin identitet do të publikoni ju? Kur në jemi publik. Jo vetëm publik por edhe të njohur nga ligji pasi operojmë me nipt, seli dhe konform rregullave.
Për pjesën që doni të dini apo ekspozoni se ku jetojmë, atë përgjigje e morët në email, me gjithë adresat përkatëse.
Në fund na garantoni se nëse neve plotësojmë kërkesat tuaja, JU nuk do të merreni më me neve!

Nuk e dime se si mund të merren bashkë një media si ne me disa individë si ju që përveçse ndërtoni pa leje apo me leje të falsifikuara, tashmë i keni dhe duart me gjak. Me gjakun e punëtorëve tuaj.
Tani, që edhe ne si redaksi ta kuptojmë drejt emailin tuaj, ju përveç se keni nëpër duar gjakun e punëtorëve të ndërtimit, po kërkoni të keni edhe gjak gazetarësh?
Dhe këtë na e thotë Sokol Toma nga arratia, apo Gjin Tusha nga vendi ku po “dridhet” apo Krist Toma?
Ne ju garantojmë që përballja juaj me ne, përveçse mediatike do të jetë vetëm ligjore. Duart e lara me gjak punëtorësh ndërtimi, nuk do t’i shpëlani dot me gjakun e gazetarëve të cilët informojnë publikun për personazhe si ju.
Redaksia e priza.al nëpërmjet ekipit të saj ligjor po përgatit padi penale ndaj Sokol Tomës, Gjin Tushës dhe Krist Tomës për kërcënim dhe shantazh për shkak të detyrës.
Redaksia e priza.al njofton Sokol Tomën nga arratia dhe gjithë “çunat” se asnjë kërcënim apo shantazh nuk do të na ndalë për të denoncuar paligjshmëritë, qofshin këto në Shengjin apo Ksamil.
Paligjshmëria është objekti i punës sonë, demaskimi i saj. Dhe për ne paligjshmëria nuk është as e majtë dhe as e djathtë, ashtu sikundër nuk ka çmim, apo sikundër nuk i tutemi asnjë lloj përballjeje.
Sokol Tomës, Gjin Tushës dhe Kristi Tomës i bëjmë thirrje që në vend që të harxhojnë minuta duke shkruar në emailin e redaksisë priza.al apo në numrin tonë të whatsappit, të përgatiten për betejën e gjatë që kanë me ligjin. Dhe akuzat nuk janë të pakta. Nis me falsifikime dhe përfundon me “zhytje” duarsh në gjak njeriu.
