Vdekja tragjike e një punëtori pasditen e së enjtes në Shëngjin ka rikthyer në vëmendje kaosin dhe abuzimet me ndërtime në këtë zonë turistike. Sipas të dhënave paraprake nga hetimet, 36-vjeçari që humbi jetën ishte i punësuar në të zezë, ndërsa në godinën ku po kryheshin punimet mungonin masat bazë të sigurisë në punë.Policia ka shpallur në kërkim drejtuesin teknik të punimeve, Sokol Toma. Ky i fundit është një emër i njohur për drejtësinë, pasi është dënuar më parë nga GJKKO për shpërdorim detyre. Ai është një nga figurat kyçe të skemës kriminale të ndërtimeve pa leje në Shëngjin, ku përmes dokumentacionit të falsifikuar dhe me mbështetjen e disa institucioneve, organizon dhe realizon ndërtimet jashtë çdo standardi ligjor. Por aktiviteti i tij nuk kufizohet vetëm te ky pallat në Kune. Sipas të dhënave, Sokol Toma ka qenë gjithashtu i përfshirë si inxhinier dhe pronar në ndërtimin e një tjetër pallati pa leje në zonën turistike të Ranës së Hedhun – një objekt shumëkatësh i ngritur me të njëjtën skemë të paligjshme, që është kthyer në model ndërtimi në Shëngjin.
Në këtë mënyrë janë ndërtuar dhe vijojnë të ndërtohen dhjetëra pallate shumëkatëshe, të cilat më pas legalizohen në kundërshtim me ligjin nga Kadastra e Lezhës, e drejtuar nga Altin Gjergji.Ngjarje tragjike ngre edhe një herë alarmin për mungesën e kontrollit institucional dhe nevojën për ndërhyrjen urgjente të SPAK. Vetëm gjatë një viti, në këtë zonë janë regjistruar katër raste punëtorësh të vdekur në kantierë ndërtimi – një bilanc i rëndë që kërkon përgjegjësi dhe drejtësi.
Katër raste vdekjesh ku dy prej së cilave kanë ndodhur në kantieret pa leje ose me leje të falsifikuar të Sokol Tomës. Siç duket qartë dhe nga pamjet në video, pallati ku ka ndodhur tragjedia e fundit, përveçse pa lejet e nevojshme për tu ndërtuar dhe zhvilluar është jashtë çdo kriteri teknik që duhet të ketë një kantier. Objekti që tashmë është në katin e tij të dymbëdhjetë, nuk është në asnjë cep të tij, I rrethuar siç thotë ligji me skela dhe rrjetë mbrojtëse. Me sy të lirë mungon çdo tabelë sinjalizuese si për punonjësit ashtu edhe për kalimtarët, duke e kthyer gjithë këtë masiv betoni në një “vrasës” pa pagesë.
Objekti në fjalë nuk është në pronësinë direkte të Sokol Tomës. Në këtë objekt ai është zyrtarisht “drejtues teknik”, dhe ndaj është shpallur në kërkim, duke shpëtuar për momentin pronarin e kompanisë që po e bën këtë pallat pa leje z. Gjin Tusha.
Gjin Tusha gjithashtu një emër i njohur për të ndërtuar pa leje në fillim e më pas për të mbyllur “letrat” gjatë rrugës është pronar dhe administrator i shoqerisë “Leoni ALB”, shoqeri që po ndërton edhe këtë pallat pa leje, ku para dy ditësh një 36 vjeçar humbi jetën duke lënë rrugëve familjen e tij që e priste në shtëpi si çdo ditë tjetër.

Ndërkohë nga ana tjetër, Sokol Toma përveçse drejtor teknik në subjektin “Leoni ALB” rezulton edhe vetë pronar i shoqerisë “S.T. KONSTRUKSION” të themeluar në vitin 2019.
Pra ish drejtori i Urbanistikës në Bashkinë Lezhë, i dënuar nga SPAK si pjesë e grupit të zyrtarëve të bashkisë që përfituan 66 mijë metër katrorë tokë në bregdet nëpërmjet falsifikimeve, shfaqet kudo nëpër Lezhë sidomos në bregdet herë si drejtues teknik, herë si zaptues dhe ndërtues pa leje, herë si sekser që mbyll dosjet tek drejtoria e Kadastrës e herë si bisnesmen i rregullt.
Në të vërtetë, Sokol Toma është një ish zyrtar i korruptuar, i çertifikuar si i tillë me vendim gjykate, i cili nën pushtetin e “pagesave nën dorë”, ka arritur të ndërtojë disa objekte pa leje në zonën e Shëngjinit dhe të Ranës së Hedhun të cilat në kundërshtim me urdhrin e kryeministrit janë legalizuar nga ana e drejtorit të Kadastrës, Altin Gjergji.
Vdekja në punë, në një pallat 15 katësh të ndërtuar pa leje dhe pa asnjë kusht sigurie e një hallexhiu 36 vjeçar, është “pika” që derdhi “kupën” e zullumeve të Sokol Tomës.
Redaksia e priza.al do të publikojë të gjitha objektet që Sokol Toma, Gjin Tusha dhe të tjerë personazhe vendor kanë ndërtuar pa leje duke i legalizuar më pas tek Altin Gjergji pasi paraqesin disa vërtetime falso nga Këshilli i Qarkut, vërtetime totalisht nul.
Gjaku i punëtorit 36 vjeçar, nuk u derdh si pasojë thjesht e një pakujdesie në punë. Ai vdiq, sepse një sistem i tërë i korruptuar i dha mundësinë Sokol Tomës dhe “shokëve” të tij, të bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë.
Të ndërtojnë pa leje, me bekimin e pushtetarëve vendor.
Vijon
