Prokurorja e Shkodrës, Blerta Hamza, ka marrë një “shuplakë” të rëndë nga të gjitha hallkat e drejtësisë, në lidhje me hetimin pasuror ndaj Ago Gjolajt, pronarit të pijes energjike “8S2”.
Në muajin prill të vitit 2024, kjo prokurore, me një shkresë tepër të dyshimtë të Policisë së Shkodrës, pas së cilës mund të jenë të tjera klane dhe me vetëm 4 ditë hetime, ka vendosur sekuestrimin e pasurive të familjes Gjolaj, pa pasur asnjë informacion të detajuar, duke bllokuar aktivitetin e ligjshëm dhe prej shumë vitesh të kësaj familje, në Malësinë e Madhe apo edhe në Tiranë.
Fillimisht, goditja e parë ndaj prokurores Blerta Hamza ndodhi nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, e cila vendosi të zhbllokojë pasuritë e sekuestruara pa asnjë provë. Më pas, “shuplaka” e dytë i erdhi nga brenda institucionit të Prokurorisë së Shkodrës, ku drejtuesi i këtij organi akuze, Albert Murçaj, vendosi në muajin shtator të vitit 2025 që t’i drejtohej Gjykatës së Shkodrës për të pushuar hetimet.
Gjithashtu, në fund të muajit shtator të vitit të kaluar, gjyqtarja Egla Mirashi, pranoi kërkesën e prokurorisë, duke e pushuar çështjen “pasi pasuritë janë të ligjshme”.



Faksimile: Vendimi i Prokurorisë së Shkodrës, i muajit shtator 2025, ku vendosi t’i kërkonte gjykatës pushimin e hetimeve pasurore ndaj familje Gjolaj
Në datë 5 shtator 2025, kryeprokurori i Shkodrës Albert Murçaj, sipas dokumenteve që ka hulumtuar Vox News, i ka dërguar një kërkesë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër. Sipas tij, bëhet fjalë për procedimin penal pasuror me numër 01, të filluar nga prokurorja Hamza në datën 11 prill 2024, regjistruar mbi bazën e referimit të Policisë së Shkodrës, me qëllim verifikimin e pasurive të shtetasit Ago Gjolaj dhe familjarëve të tij.
“Nga referimi i bërë nga drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, e cila është vënë në dijeni nga Zyra Kombëtare e Interpol Tirana se autoritetet e Malit të Zi, po hetojnë për veprën penale të pastrimit të parave shtetasen shqiptare Sonjela Gjolaj. Kjo shtetase më datë 12 prill 2018 ka nënshkruar një kontratë për blerjen e një jahti luksoz me vlerë 300 mijë euro me shtetasin malazes Sase Jakica, i cili është i përfshirë në veprimtari kriminale dhe pastrim parash”, thuhej në këtë dokument.
Sipas prokurorisë, është bërë një hetim i plotë i pasurive të familjes Gjolaj, ku i është kërkuar Agjencisë Shtetërore të Kadastrës së Shkodrës informacion.
“Ka rezultuar se në emër të shtetasit Ago Gjolaj dhe familjarëve të tij nuk figurojnë pasuri të paluajtshme të regjistruara. Në proces legalizimi është një godinë social ekonomike me sipërfaqe 2.592 m2, e cila është në pronësi të shoqërisë ‘B.M’ shpk”, thotë akuza.
Sipas saj, ka rezultuar se nga hetimet dhe verifikimet e kryera shtetasi Ago Gjolaj dhe familjarët e tij nuk kanë pasuri të cilat janë shpërpjestimore me nivelin e të ardhurave të tyre ndër vite apo të fitimeve të realizuara nga burime të ligjshme të deklaruara prej tyre.
“Përkundrazi e gjitha pasuria e tyre është e deklaruar rregullisht, me burime të ligjshme dhe plotësisht e justifikuar. Shuma e pasurisë së deklaruar është si vijon; të ardhura neto të faktuara të shtetasit Ago Gjolaj dhe familjarëve të tij, për periudhën 2012-2023 janë 1.2 miliardë lekë”, vijon prokuroria.
Më tej shton se pasuria në tërësi e deklaruar prej subjektit Ago Gjolaj dhe familjarëve të tij është plotësisht e justifikuar dhe si rrjedhojë nuk ka vend për vendosje sekuestroje dhe gjithashtu ky procedim duhet të pushohet, ka shkruar prokurori Albert Murçaj.
Në fund, i kërkon gjykatës pushimin e hetimeve dhe pasuritë e sekuestruara të cituara më sipër dhe të kthyera më pas subjektit Ago Gjolaj t’i kthehen përfundimisht pronarëve të ligjshëm sipas vendimit të Gjykatës së apelit të juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Në datë 30 shtator 2025, Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë së Shkodrës.
Në fund, gjyqtarja Egla Mirashi vendosi “pushimin e procedimit pasuror me numër 01, datë 1 prill 2024 në lidhje me shtetasin Ago Imer Gjolaj”.
Vendimet e disa shkallëve të prokurorisë dhe gjykatës është një goditje e rëndë për prokuroren Blerta Hamza. Ajo i sekuestroi kësaj familje pasuritë në bazë të një procedimi penal të nisur para shtatë vitesh me akuzën e pastrimit të produkteve të veprës penale.
Prokurores iu deshën katër ditë që të zbulonte se biznesi në fjalë, një ndër më të mëdhenjtë në Shqipëri në fushën e shpërndarjes së pijeve energjike dhe produkteve të tjera për të cilat gëzon të drejta ekskluzive distribucioni, është përdorur për pastrim të produkteve të veprës penale.
Prokurorja Blera Hamza arriti në këtë konkluzion pa marrë më parë në pyetje askënd nga kompania, madje as vetë biznesmenin, Ago Gjolaj. Ajo nuk referoi asnjë të dhënë financiare nga bilancet e kompanisë të biznesmenit Gjolaj, të cilat ishin publike dhe të aksesueshme lehtësisht në Qendrën Kombëtare të Bizneseve.
Ajo nuk provoi më parë burimin e 300 mijë eurove, pasi nëse do të shihte vetëm QKB-në do të kuptonte se firma e familjes Gjolaj ka xhiruar dhjetëra miliona euro para blerjes së anijes në Malin e Zi.
Por, më skandalozja është se, Hamza shkruante se mjetin lundrues ia bleu një personi të hetuar në Malin e Zi. A është përgjegjësia e blerësit që të kërkojë dëshmi penaliteti për shitësin? Aq më tepër që transaksioni është bërë në formë ligjore, pa fshehur asnjë qindarkë.
Dëmi ndaj imazhit të Ago Gjolaj dhe biznesit të tij në partneritet me Bavaria Group është i konsiderueshëm. Tani i mbetet institucionit të përgjumur të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, që të nis hetimet ndaj prokurores Blerta Hamza, për të zbuluar prapavijën e sulmit ndaj “BM Group”.
*Ky material mban autorësinë e redaksisë www.voxnews.al
