Richard Grenell ka qenë një herë njeriu i Donald Trump për Ballkanin, dhëndri Jared Kushner kujdeset prej kohësh për bizneset e Trump në rajon dhe ish-guvernatori Rod Blagojevich përflitet si ambasador i SHBA-së.
Javët e para të presidencës së dytë të Donald J. Trump e konfirmuan kryetitullin e gazetës New York Times ditën kur ai mori detyrën, që shkruante: “The Deal Maker in Chief is back”. Edhe në politikën e tij të jashtme duket se po qartësohet, se lajtmotiv i Trump do të mbeten “marrëveshjet e tij të dashura”.
Kështu për shembull: Ukraina do të vazhdojë të marrë ndihmë ushtarake amerikane, nëse i garanton në këmbim SHBA-së akses në depozitat e saj të lëndëve të para si tokat e rralla dhe litiumi. Ose “marrja” e Rripit të Gazës për të krijuar një “rivierë të Lindjes së Mesme”. Apo klasikja e Trump: Një “Trump Tower”, këtë herë në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.
Për projektin, që dështoi në vitin 2012, tani është gati të fillojë ndërtimi. Kjo gjë, që u realizua 13 vjet më vonë, është iniciuar kryesisht nga këshilltari më i afërt i Trump, Richard “Ric” Grenell, i cili ishte i dërguari special i presidentit për Ballkanin gjatë mandatit të tij parë, dhe të cilin tani presidenti e bëri “të dërguarin e tij për misione speciale”.
Grenell ka marrëdhënie të ngushta, thuajse miqësore, me presidentin serb, Aleksandar Vuçiçdhe ministrin e tij të jashtëm Marko Gjuriç, i cili ka qenë më parë ambasador i Serbisë në Uashington. Grenell mori një medalje nga Vuçiçi në vitin 2023 për “qasjen e tij të ekuilibruar” ndaj shtetit më të ri të Evropës, Republikës së Kosovës, të cilin Serbia edhe 26 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë e pretendon të sajin.
Në mars 2024 midis qeverisë serbe, dhëndrit të Trump, Jared Kushner dhe investitorëve arabë u arrit marrëveshja Trump Tower Beograd, që sipas New York Times kushton gjysmë miliardë dollarë. Plani: Ish-ndërtesa e shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Serbisë, ose ish-Jugosllavisë, do të shndërrohet në një kompleks hotelesh me apartamente luksoze – me një memorial për viktimat e sulmit ajror të NATO-s në vitin 1999, nga i cili u godit ndërtesa. Ky do të ishte i pesti “Trump Tower” në botë, krahas Nju Jorkut, Çikagos, Manilës dhe Stambollit.
Ambasadori i mundshëm – Një figurë politike e diskutueshme edhe për standardet e Trumpit
Revista Politico njoftoi javën e kaluar, se Trump po merr në konsideratë emërimin e ish-guvernatorit demokrat të Illinois si ambasador të SHBA në Beograd. Blagojevich, djalë i emigrantëve serbë, u hoq nga detyra në vitin 2009 dhe tre vjet më vonë u dënua me 14 vjet burg për korrupsion.
Trump ia shkurtoi dënimin Blagojevichit gjatë mandatit të tij të parë, më vonë ai u lirua para kohe në 2020. Kjo e bën atë një kandidat ideal për Trump, thotë për DW prof. Daniel Serwer, ekspert i Ballkanit në Universitetin e njohur Johns Hopkins dhe negociator i SHBA për Ballkanin nën Presidentin Bill Clinton: “Blago është njeriu i përsosur për Beogradin: një politikan thellësisht i korruptuar, që është i gatshëm të bëjë gjithçka që Trump dëshiron, në mënyrë që të rehabilitohet”.
Në fakt pas shkarkimit të tij në vitin 2010 Blagojevich mori pjesë në shfaqjen televizive të atëhershme të Trump “Celebrity Apprentice”. Pas Kongresit të Partisë Republikane, që e zgjodhi Trumpin kandidat për president në maj 2024, ai së bashku me Grenell bënë fushatë, veçanërisht në komunitete me elektorat me origjinë serbe në SHBA, ku Trump arriti mbështjetje të lartë – si dhe mes politikanëve nacionalistë serbë në Serbi dhe shtetet fqinje të Ballkanit Perëndimor Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë, ku jetojnë gjithashtu serbë.
