Dy fjalë për mbeturinat njerëzore, mbetjet e ngurta, Besnikun e shqetësuar padrejtësisht dhe për Besnikun që qesh

ELIO  LAZE – Editor i priza.al

 

Redaksia e priza.al prej kohësh është në vëzhgim të një “fenomeni” të çuditshëm që ka vite që aplikohet në vend e sidomos në Tiranë dhe rrethina. Ky fenomen quhet “pjellja e tokave nga hiçi”.

Pjellja e tokave nga hiçi, nuk është diçka e mbinatyrshme që të na duhet ta quajmë “fenomen”. Është diçka njerëzore, e bëjnë qëniet me dy duar dhe dy këmbë. Që kanë trajtën e njeriut, por në sjellje i ngjajnë mbeturinave. Që do të thotë, pjellja e tokave nga hiçi është një skemë e mirëmenduar dhe jo thjesht një formë për të shmangur pagesat e dherave në landfill.

Është një skemë që nëpërmjet hedhjes së dherave, buzë autostradave, apo buzë lumenjve, të krijohen toka të cilat më pas pajisen me çertifikatë pronësie, dhe shiten e rishiten me dhjetëra herë deri sa gjurmët të zhduken dhe nis të lulëzojë një bisnes.

Në këtë skemë janë përfshirë jo vetëm subjekte private, por edhe zyrtarë shtetërorë dhe lokal.

Ditën e djeshme, redaksia e priza.al publikoi artikullin me titull: “Tirana në kaos trafiku/Shkëlqim Fusha dhe Besnik Bali sfidojnë ligjin dhe nxjerrin kamionët me dhera në rrugë, me bekimin e kujt po krijojnë “toka të reja” dhe “derdhen” ku të duan?

Artikulli shoqerohej me disa foto të shkrepura rrugëve të Tiranës ditën e djeshme. Dhe bëhej fjalë për kamionët e kompanisë së Shkëlqim Fushës dhe për kamionët e Besnik Balit. Gabimisht, redaksia ka publikuar foton e një tjetër individi, I cili quhet Besnik Bali, por nuk është i njëjti.

Këtu historia është interesante. Besnik Bali të cilin ne e publikuam gabimisht si fotografi, nuk ka lidhje me Besnik Balin ndërtues, dhe bashkëpronar me vëllezërit e tij në kompaninë Bali04.

Besnik Bali i publikuar gabimisht nga ana jonë, ka mbajtur më parë funksionin e kryetarit të njesisë administrative Baldushk dhe është ndër të paktët zyrtarë, që ka ngritur zërin privatisht dhe shkresërisht për masakrën mjedisore që po ndodh me hedhjen e mbetjeve të ngurta buzë Erzenit.

Ndërkohë adashi i tij, Besnik Bali i inerteve, i cili është komplet e kundërta e adashit zyrtar, qeshi dhe u gëzua nga gafa e redaksisë në publikimin e fotos.

Ne padiskutim i kërkojmë ndjesë Besnik Balit për publikimin e fotos së tij, si dhe e falenderojmë dhe vlerësojmë ndershmërinë dhe përkushtimin që ka treguar ndaj komunitetit që ka drejtuar, por gjithashtu i drejtohemi adashit tjetër, Besnik Balit, ndotës.

I dashur Besnik!

Ne jemi qënie njerëzore që në profesion jemi gazetarë. E ndajmë ditën midis terrenit dhe zyrës. Natyrisht edhe përse profesioni ynë është gazetaria, qënia jonë është humane, dhe ndonjëherë gabojmë për shkak të presionit të kohës. Ashtu gabuam dhe dje, duke publikuar një tjetër Besnik Bali, në vëndin tënd, Besnik Bali ndotës. Dhe duke qënë se kemi dy Besnik Bali, për arsye identifikimi, ty po të quajmë “Bes ndotësi”.

Ti “Bes ndotësi” dje qeshe me gafën tonë. Të kërkojmë ndjesë që nuk publikuam foton tënde dhe të vellëzerve të tu, të cilët përveçse ndosni mjedisin, jeni edhe shakatorë, mesa më thanë.

Pa merak i nderuar “Bes ndotësi”. Ne do ta korrigjojmë gabimin tonë. Po ti, si do t’i korigjosh krimet e tua?

Si do ta korigjosh atë që po bën buzë Erzenit, o “Bes ndotësi”? Ti do të thuash që sje i vetmi. Do na thuash se këtë punë përveç teje dhe Çim Fushës e bën dhe Kujtim Vishi, e bën dhe Sokol Kupi e bëjnë dhe plot personazhe gazmoro-komik me influencë në zonë.

I dimë të gjitha këto “Bes ndotësi”. Dhe pikërisht se i dimë, siç thoshte Kryeministri për të cilin ju keni shumë respekt: “Jua dimë targat…”, edhe ne jua dimë targat, mjetet dhe vëndet ku “derdheni”.

Dhe çështë më e keqja nuk është as e vështirë tju identifikosh, sepse ju “derdheni” vend e pa vend.

Kjo historia “dherdh” inert dhe “ngjiz” një tokë ka vite që ndodh. Me bekimin e një zinxhiri të gjatë zyrtarësh. Por ne si redaksi dhe unë përsonalisht besoj se ka ardhur momenti, që i gjithë publiku t’i njohë shkatërruesit e mjedisit dhe shkelësit e ligjit. Dhe vetëm nëpërmjet kësaj forme, besojmë se edhe drejtësia do të dëgjojë nga të paktën njëri vesh, dhe secili të marrë atë që i takon. Dhe në fund, të shpetojë ajo që ka rëndësi për të ardhmen.

Mjedisi që ju po e shkatërroni pa asnjë mëshirë.

Por siç e thamë dhe në shkrimin e djeshëm i dashur “Bes ndotësi”, nuk je i vetmi. Ke boll shokë.

 

Vijon…

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *