Në nderim të Ali Mato (1951–2025)
Ndarja nga jeta e Ali Matos, më 16 dhjetor 2025, shënon humbjen e një personaliteti me kontribute të çmuara në dipolmacinë shqiptare dhe marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare. Me një karrierë profesionale që shtrihet për më shumë se katër dekada, ai përfaqësonte modelin e profesionistit korrekt dhe diplomatit me integritet të lartë.
Ali Mato lindi më 23 tetor 1951 dhe formimin e tij e ndërtoi mbi baza të forta teknike dhe akademike. Pas përfundimit të Teknikumit të Minierave dhe Gjeologjisë në Prrenjas, ai u diplomua si Inxhinier Nafte në Universitetin e Tiranës. Krahas formimit profesional, Ai i kushtoi vazhdimisht rëndësi përgatitjes gjuhësore, duke u certifikuar në frëngjisht, anglisht dhe italisht në Universitetin e Gjuhëve të Huaja. Këto zotërime do të shërbenin më pas në mënyrë z
Karrierën profesionale e nisi në sektorin strategjik të naftës dhe gazit, fillimisht si inxhinier kërkimi në Vlorë, më pas si drejtues studimesh në Institutin e Naftës dhe Gazit në Fier, ku kontribuoi në hartimin dhe zbatimin e projekteve për identifikimin e vendburimeve energjetike në vend. Këto përvoja i hapën rrugën drejt roleve drejtuese në Ministrinë e tregtisë së jashtme, ku spikati veçanërisht puna e tij si Drejtor i Departamentit të Eksportit të Karburanteve në ndërmarrjen “Mineralimpex”, duke zhvilluar marrëdhënie tregtare me vendet e Evropës Perëndimore.
Një kapitull i rëndësishëm i jetës së tij profesionale lidhet me Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku ai shërbeu për shumë vite në diplomaci. Në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kajro, në cilësinë e Konsullit Tregtar, ai kontribuoi në forcimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike me vendet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës , në veçanti me Egjiptin.
Më pas, në Ambasadën Shqiptare në Mbretërinë e Arabisë Saudite, mbajti detyrat e Ministrit Fuqiplotë (Këshilltar Politik) dhe më vonë Ambasadorit të ngarkuar, duke drejtuar veprimtarinë politike dhe ekonomike të përfaqësisë diplomatike shqiptare në Riad.
Në vitet e tranzicionit, Ali Mato dha një kontribut të rëndësishëm në administratën shtetërore, duke shërbyer si Drejtor i Departamentit për Vendet Perëndimore në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në një periudhë kyçe për riorientimin ekonomik dhe tregtar të Shqipërisë.
Krahas angazhimit institucional, Ali Mato spikati për ndjeshmërinë sociale dhe humanizmin, veçanërisht gjatë krizave humanitare, ku u angazhua vullnetarisht në ndihmë të emigrantëve kosovarë gjatë luftës, duke kontribuar në organizimin dhe shpërndarjen e ndihmave bazë.
I njohur për besueshmërinë, korrektësinë, aftësitë drejtuese dhe komunikimin e hapur, Ali Mato la pas një trashëgimi profesionale të ndërtuar mbi përkushtim, integritet dhe shërbim ndaj interesit publik. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë jo vetëm në familjen dhe miqtë, por edhe në institucionet ku shërbeu me dinjitet, duke lënë gjurmë të qëndrueshme në diplomacinë dhe administratën shqiptare.
Redaksia e priza.al i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes Mato për humbjen e Aliut të tyre, si dhe i shpreh ngushëllime të gjithë kolegëve apo bashkpunëtorëve që ndër dekada ndanë ditët me Ali Maton.
