Tre vite më parë, qeveria shqiptare shpenzoi një shumë prej 6.7 milionë eurosh për të filmuar territorin nga hapërisa, nëpërmjet satelitëve. Tenderi dështoi fillimisht, teksa më pas me procedura që ende sot e kësaj dite nuk janë publikuar, satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” u ngritën në fillim të vitit 2023.
Ende sot e kësaj dite nuk janë publikuar detaje për firmën fituese, a janë zbatuar procedurat apo çfarë është filmuar.
Institucionet shtetërore ende s’kanë në dorë filmimet e këtyre satelitëve, nëse janë apo jo efektive për erozionin, zjarret, ndërtimet pa leje apo edhe prerjen e pyjeve.
Ndërkohë, ditët e fundit, kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, po tenton që të mbulojë qeverinë me dështimin e satelitëve. FSHZH-ja ka hapur një tender për të kryer fotografi ajrore të territorit të Republikës së Shqipërisë, teksa objekti është i njëjtë.

Sipas dokumenteve që ka hulumtuar VoxNews, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur një tender ditët e fundit me objekt “fotografimi ajror, dixhital i territorit të Republikës së Shqipërisë”. Sipas saj, kërkohet të prodhohen imazhe ajrore të orientuara. Fondi limit është rreth 2.6 milionë euro pa TVSH.
Kohëzgjatja e kontratë për zbatimin e saj është 24 muaj. Në dokumentet e kësaj procedure, bëhet me dije se në këtë fushë, Republika e Shqipërisë ka informacion hartografik të vjetër dhe të pasaktë. Por, a nuk filmuan dy satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2”?!

FSHZH shkruan se ASIG po krijon hartën bazë duke përdorur metoda fotogrametrike bazuar në fotografi ajrore nga vitet 2015-2017 dhe 2018 (zona Tiranë-Durrës). “Ndryshimet demografike dhe zhvillimi ekonomik në disa sektorë (si turizmi dhe bujqësia) kërkojnë krijimin e sistemeve dhe bazave të të dhënave që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm. Në shumë raste, hasen vështirësi gjatë zbatimit të shumë projekteve të rëndësishme të synuara për zhvillimin e zonave urbane dhe infrastrukturore. Sidomos në zonat urbane dhe turistike, shumë agjenci publike si dhe shumë investitorë vuajnë nga mungesa e informacionit kartografik për të dhëna vektoriale në shkallë të vogël dhe të madhe” vijon dokumenti. Natyrisht, që pas çdo nisme të Fondit Shqiptar të Zhvillimit ka edhe prapaskena, pasi me këtë informacion dhe fotografi ajrore do të shikohet mundësia se ku mund të ndërtojnë dhe të zaptojnë prona publike.

Por, me çfarë do të bëhen fotot? Sipas dokumenteve, FSHZH ka kaluar nga satelitët e famshëm që nuk vlejtën te avionët. Janë avionë specifikë që filmojnë territorin nga lartësia dhe prodhojnë fotografi të të gjithë zonës. Të njëjtë si avionët që kontrollonin Shqipërinë për drogë.
Në dokumente specifikohet se kërkohet të kryhet fotografimi ajror oblik dixhital me avion me një rezolucion hapsinor (GSD) prej 5 cm për zonën 1 urbane 680 km katror dhe të dorëzoje imazhe dixhitale.
Kërkohet që të kryhet fotografimin ajror dixhital me avjon me një rezolucion hapsinor (GSD) prej 8 cm për zona 2 rurale 10.679 km2 dhe të dorëzoje imazhe dixhitale. Kërkesa e radhës është fotografimi ajrore me avion të zonës malore, 17.425 km katrorë.

Por, a nuk u filmua territori me satelitët e famshëm? Në fund të vitit 202, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile hapi tenderin me objekt “realizimi i projektit të monitorimit të territorit me teknologji të avancuar (shërbimi satelitor)”, për një periudhë 3 vjeçare. Fondi limit ishte 671.760.000 lekë pa TVSH.
Tenderi dështoi fillimisht, teksa më pas paratë iu dhanë një kompanie amerikane ndoshta me negocim dhe satelitët, sipas qeverisë, u lëshuan në hapësirë në fillim të vitit 2023. Pamjet e satelitëve u publikuan nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se satelitët u lëshuan në Florida, në në mision të përbashkët të “SpaceX”
Mësohet se marrëveshja për ngritjen e staelitëve mes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit Operatorit “Satellogic USA” Inc u nënshkrua më 29 shtator 2022. Në atë kohë, qeveria tha se do të marrë informacion mbi rrëshqitjet e tokës, lëvizjen e strukturave të rëndësisë së veçantë si: diga, ura, nivelin e ujit në liqene, basene, lumenj, numrin e godinave të shembura, sipërfaqen e zonave të përmbytura, sipërfaqen e zonave të djegura, densitetin e popullsisë, rrugët e bllokuara, sipërfaqet e mbuluara nga bora, trashësia e borës.
Gjithashtu kërkohej edhe informacion mbi peshkimin detar, kontrollin e ujërave ku në raste që konstatohen shkelje të kërkesave ligjore. Apo edhe monitorim të rrjetit të kanaleve ujitëse, kulluese, kanalet e ujërave specifikisht në situata me reshje intensive. Gjithashtu edhe informacion për cilësinë e ujërave bregdetare si dhe erozionin bregdetar në funksion të mbrojtjes së zonës bregdetare dhe inventarizimin e saj.
Kështu raportojnë kolegët e voxneës.al për tenderin e rradhës së “mjeshtrit” Dritan Agolli.
Ne si redaksi e priza.al kemi disa kohë që kemi ngritur pikëpyetje serioze edhe rreth mardhënies së Dritan Agollit dhe Shkëlqim Fushës. Një mardhënie institucionale midis “Fondit Shqiptar të Zhvillimit” dhe “Fusha shpk” ku përveçse i janë dhënë firmës Fusha mbi 55 milionë euro tendera duket se ka kaluar në mardhënie personale miqësie me dhurime dhe shkëmbime pronash, ashtu siç është dhe kjo tokë tek zona e TEG, ku i përkiste familjes Fusha e tashmë i përket Dritan Agollit. Për të mos përmendur me detaje se si rezidenca “Sofia Hill” ku është ndërtuar në tokën ngjitur me atë të Dritan Agollit, është e banuar dhe pronarë apartamentesh janë persona me mbiemër Fusha dhe Agolli. Të gjithë të afërm të Shkëlqim Fushës dhe Dritan Agollit.
E nëse të afërmit e Shkëlqim Fushës është normale që të banojnë në rezidencat e ndërtuara në pronat e familjes së vet, po familjarët e Dritan Agollit çfarë i lidh me këto prona?
55 milionë eurot e tenderave të dhëna pa garë dhe në mënyrë të dyshimtë firmës Fusha shpk nga Dritan Agolli dhe kjo copë toke ngjitur me Sofia Hill pranë TEG janë preludi i një sërë akuzave penale që do të ngrihen së shpejti ndaj dyshës gllabëruese të tenderave të shqiptarëve, siç janë Dritan Agolli dhe Shkëlqim Fusha.
Vijon


