Kryeministri Edi Rama i çoi të mërkurën një hap më tej sulmet e nisura pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj ndaj SPAK dhe Gjykatës së Posaçme, kur shpalli gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste se nuk do t’i pranonte më masat e sigurisë së lëshuara prej tyre.
“…këto paraburgimet me një të rënë të lapsit dhe këto noterizimet në Gjykatën Speciale, me filozofinë që çfarë çojmë ne atje, ata vetëm e firmosin, patjetër, se ne jemi Amerika, këto nuk i pranoj më dhe s’kam për t’i pranuar më”, tha kryeministri.
Takimi u thirr enkas për të shenjestruar SPAK dhe GJKKKO lidhur me 24 masa sigurie për punonjësit e Universitetit Bujqësor të Tiranës, që akuzohen për abuzim me tenderat. Rama i quajti të martën masat e sigurisë të marra “pa gjyq” dhe ftoi rektorin Fatbardh Sallaku të fliste para grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Në një fjalim prej gati 6 mijë fjalësh, Rama tha se “drejtësia i ka sytë më gjak” dhe hera-herës mori edhe rolin e mbrojtësit të saj, ndërsa e akuzoi strukturën e posaçme për shkelje të të drejtave të njeriut. Rama premtoi se nuk do ta toleronte më këtë.
“Tani merrini dhe shikojini sesa zgjatje ka në parburgimet e kësaj drejtësie, që ka gjithë mbështetjen tonë për të qenë e pavarur, por nuk ka për ta pasur më heshtjen tonë kur pavarësia kthehet në “Carta Bianca” për të shkelur të drejtat e njeriut,” deklaroi Rama.
Ekspertët e sistemit të drejtësisë dhe monitorues të tij i thanë BIRN se qëndrimet e kryeministrit ishin të pabazuara dhe tingëllonin si ftesë për të shkelur ligjin dhe për të minuar besimit të publikut te drejtësia.
Drejtuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndo i tha BIRN se retorika e kryeministrit Edi Rama të kujtonte raste flagrante të së shkuarës ku drejtues të ekzekutivit nuk kanë pranuar vendimet e sistemit të drejtësisë.
“Në të kaluarën kemi patur rast flagrant të mosekzekutimit të urdhrave të ndalimit të prokurorisë nga Policia e Shtetit, sikurse kanë qenë ngjarja e 21 Janarit. Çdo vendim gjyqësor është i detyrueshëm për t’u zbatuar dhe kushdo që pengon zbatimin e tij duhet të procedohet për shpërdorim detyre (neni 248 i Kodit Penal), pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës (neni 320) apo mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të vendimit të gjykatës (neni 320/a)”, tha Skëndaj.
Ndërkohë, juristi Ervin Metalla i vlerëson deklarimet e kryeministrit Edi Rama në kuadrin e retorikës politike me qëllim cënimin e besimit te drejtësia, më shumë se sa një kërkesë të drejtpërdrejtë për të mos i zbatuar vendimet e gjyqësorit.
“Kjo nuk mund të ndodhë në asnjë vend të botës që konsiderohet shtet,” tha Metalla duke iu referuar zbatimit të vendimeve.
Sipas tij, Rama përmes mospranimit lë të kuptohet se do të vazhdojë t’i kundërshtojë këto vendime me të njëjtën retorikë që ka përdorur deri tani, duke cënuar besimin te drejtësia.
“Në këtë kuptim, nuk më duket se ekzistojnë ende premisat për një krizë kushtetuese, por retorika në fjalë nuk bën gjë tjetër veçse mbjell farën e re të mosbesimit tek institucionet e drejtësisë së re që prodhoi reforma,” shtoi Metalla.
Presion dhe cënim të besimit
Kryeministri Edi Rama ndryshoi publikisht qëndrimin e tij ndaj Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj me akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Më parë, Rama dhe politikanë të tjerë të Partisë Socialiste aplikuan politikën e refuzimit të komenteve për hetimet dhe arrestimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme në radhët e mazhorancës. Pas arrestimit të Veliajt, Rama është përfshirë në sulme dhe replika ndaj prokurorit dhe gjyqtarit të çështjes, duke paralajmëruar një reformë të re në sistemin e drejtësisë.
Të mërkurën në dëgjesën me rektorin e Universitetit të Kamzës, Rama nuk ngurroi të tërhiqte paralele mes Gjykatës së Posaçme dhe regjimit totalitar në Shqipëri dhe vendimet e Gjykatave në Rusi.
