Ditën e enjte, gjatë një konference për shtyp, Sali Berisha mohoi të ketë kërkuar marrjen e një vize amerikane për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara.
Madje, ai theksoi se që kur kishte lënë detyrën në vitin 2013, kurrë nuk kishte planifikuar një udhëtim të tillë.
Unë të kërkoj vizë? Jo, nuk kam kërkuar vizë që kur kam lënë detyrën e Kryeministrit, asnjëherë”, tha ai.
Por kjo duket se nuk është e vërtetë. Sipas dokumenteve të depozituara në FARA, kompania e lobimit Continental, e cila ka lidhur kontratën 6 milionë dollarëshe me Partine Demokratike, ka bërë dy kërkesa në emër të Sali Berishes.
E para në datën 28 Mars, e firmosur nga përfaqësues të disa shoqatave shqiptaro-amerikane, mes të cilëve edhe Nuredin Seci që është garantuesi i 6 milionë dollarëve për kontratën e lobimit, ku i kërkohet sekretarit të shtetit Marco Rubio të pajisë me një vizë njëkalimshme afatshkurtër Sali Berishën.
Qëllimi i kësaj vize: takimi me diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara gjatë fushatës elektorale. Kjo kërkesë, siç thuhet në dokumentin që Top Channel disponon, është shpërndarë nga Continental Strategy, në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
