Nuk janë të paktë emrat e grave me licencë “juristi” të përfshira në krimin e organizuar, trafikun, pastrimin e parave brenda dhe jashtë vendit. Mburoja perfekte për një bandit të sprovuar është një femër me licencë, notere, avokate apo edhe gjyqtare. Para disa ditësh, noterja Sanjia Telhallari, u sekuestrua si e përfshirë në pastrim parash të një grupi kriminal, një notere tjetër u burgos para disa muajsh, Erjona Daupaj me pelerinën e Magjistrates është arratisur pasi kërkohet nga SPAK për çështjen “Toyota Yaris”.
Egesta Klosi, avokatja kontraverse me nofkën “Cisterna”, gjendet përballë akuzave të forta të Dhomës së Avokatisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe të paktën 15 përmbaruesve privatë, për dyshime që përfshijnë profesionin e avokatit por dhe më gjerë. Pritet një seancë publike për të vendosur fatin e licencës së saj në Komisionin e Avokatëve, ku do gjykohen “fajet” dhe abuzimet me licencën e avokatit të bëra nga Klosi.
Ndër dhjetëra materialet që disponon redaksia e Priza, njëri bën diferencën, me pyetjen: “Nëse Avokate Klosi nuk është ‘fedele’ ndaj bashkëshortit të saj, atëherë si mund të jetë besnike ndaj klientëve që përfaqëson me prokurë?”.
Në një tjetër ankesë, avokate Klosi akuzohet se mban lidhje kriminale me një bandë trafikantësh droge dhe qeniesh njerëzore, me shtrirje të gjerë nga Italia në Greqi, ku ajo pretendohet se ka përfshirë edhe motrën e saj Rezarta Klosi dhe mamanë Shpresa. Ankuesi i është drejtuar autoriteteve të vendeve fqinje Itali dhe Greqi, për të vërtetuar pretendimet e përfshirjes në trafik të familjarëve të avokates Klosi dhe të vetë asaj, që mban lidhje të forta me personazhe të botës së krimit në Shqipëri.
Egesta Klosi para ca kohësh është akuzuar nga media si e përfshirë me mafien e mikrokredive. Asaj iu gjetën lidhje me vëllezërit Eron dhe Enuar Merko, të cilët janë pronarët e institucionit mikrofinanciar “Lendal” Sh.p.k., pas të cilit qëndron Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe e shoqja e tij, Elona Gjipali, nëpërmjet të vëllait të saj, Elton Gjipali.
Egesta Klosi del e përfshirë si punonjëse e të dy vëllezërve Merko, e punësuar te kompania e mbledhjes së borxheve “Ale Advisers” dhe më pas te kompania e përmbaruesit privat Enuar Merko, me emër “E.G Bailiff Service”.
Në Prokurorinë e Tiranës, Merko dhe Klosi hetohen si “çift” për një denoncim që një shtetase ka depozituar dy vite më parë. Shtetasja ka deklaruar para prokurorëve se avokatja Egesta Klosi dhe përmbaruesi Enuar Merko janë “miq të vjetër” dhe ndaj saj kanë bërë akte korruptive.
Egesta Klosi në prill 2024 u shfaq në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë si avokate e famëkeqit Fatos Alimadhi, person që sot ndodhet në bankën e të akuzuarve të SPAK, bashkë me Rigels Bejkon, Altin Vakon, Arben Meskutin dhe 10 mashtrues të tjerë të akuzuar për mashtrimin e mijëra qytetarëve me skemën e ngritur nga MCA dhe Final.

Burime nga brenda policisë pohuan se avokatja Klosi mban lidhje të forta me anëtarë të një organizate kriminale në fushën e narkotikëve, e cila po hetohet nga SPAK, personazhe të së cilës kanë lidhje me drejtues e abuzime kolosale në Kadastër dhe IKMT.
Burime nga gjykata pohojnë se avokatja kontraverse Klosi përdoret edhe nga mafia e pronave, duke përfaqësuar në segmente të caktuara aferat e tyre. Së fundi, ajo është parë të përfaqësojë kompaninë e ndërtimit “Orion Construction”, të Ardian Nelajt, bashkëshort i Alketa Vejsiut, i akuzuar për lidhje klienteliste me kryeministrin dhe afera në biznesin e ndërtimit.
Me një mal akuzash brenda dhe jashtë vendit, “Çisterna” e krimit, avokate Egesta Klosi, pritet të ulet së shpejti në anën tjetër të sallës së gjykatës nëse nuk lejohet të arratiset, në anën e bankës së të akuzuarve.
