Afera e mikrokredive drejt zbardhjes, ‘kokat’ në SPAK. Kush janë prokurorët që hetojnë mashtrimin më të madh financiar që pas firmave piramidale?

Burime konfidenciale nga BKH, bëjnë me dije se hetimet për aferën e “mikrokredive” janë në rrugë të “mbarë”. Ditët e fundit në SPAK kanë hyrë fshehurazi kokat e dyshuara të bandës së mikrolredive, ndërsa javën e kaluar, nga dyert e SPAK u pa të hynte dhe të dilte Dhori Kule, ish-rektor i Universitetit të Tiranës. Kule, deklaroi para kamerave se, “u pyet për një çështje të vogël për mikrokredi, pasi ka qenë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”. Në të vërtetë, çështja për të cilën u pyet Dhori Kule nuk është e vogël, por më e madhja që po heton SPAK vitet e fundit. Është afera e “mikrokredive” ku mbetën viktima financiare rreth 100 mijë shqiptarë.

Hetimin për kupolën Bankën e Shqipërisë e ndjek prokurorja Dorina Bejko, bashkë me një grup hetuesish të BKH. Burime shumë të rezervuara tregojnë se hetimi i ‘peshqëve të mëdhenj’ nga SPAK pas një viti është në përfundim dhe pritet të dërgohet në GJKKO brenda muajit korrik. Kujtojmë që hetimi nisi në 2022 nga Prokuroria e Tiranës, pas një kallëzimi që bëri Dhoma e Përmbaruesve Privatë.

Prokurorja Ornela Rrumbullaku, e shkarkuar nga Vettingu, bashkë me hetuesen Erjona Daupaj, e cila është në arrati për çështjen “Toyota Yaris”, pas “hetimeve” e pushuan çështjen e Guvernatorit, por Gjykata e Tiranës, me gjyqtare Migena Laska e dërgoi çështjen për kompetencë në GJKKO. Kjo e fundit e rrëzoi vendimin e pushimit të dy grave të përjashtuara nga sistemi i drejtësisë dhe caktoi SPAK-un të fillojë të kryejë hetime, që me sa kuptohet pas një viti kanë gjetur “fajtorin”.

Përveç kësaj çështjeje, një tjetër hetim po zhvillon SPAK për aferën e “mikrokredive”. Altin Dumani caktoi për të ndjekur hetimet rivalin e tij për postin e drejtuesit, Edvin Kondili. Kallëzimi i Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja në maj 2024, kundër “MCA” të Olsi Ibros dhe “Final” të Arben Meskutit, u shoqërua me denoncimin e një duzine përmbaruesish, avokatësh, ekspertësh e noterësh, që ishin kallëzuar edhe më parë nga paraardhësja e tij, në vitin 2020.

Prokuroria e Tiranës nxitoi pas katër vjetësh të bëjë disa arrestime dhe ta përcjellë çështjen në SPAK në kuadër të një Grupi të Strukturuar Kriminal që kishte mashtruar mijëra qytetarë. Banka e Shqipërisë, sapo prokuroria veproi, nxitoi të heqë licencat e dy kompanive kryesore në aferën gjigante, MCA dhe Final. Më 20 korrik 2024, pronari i MCA, Olsi Ibro u deklarua nga policia se u hodh nga një pallat në ndërtim duke kryer vetëvrasje.

Ngjarja u mbulua me mister për muajt më pas, ndërsa MCA dhe Final u sekuestruan duke iu lënë për menaxhim Agjencisë Shtetërore të Administrimit të Pasurive të Sekuestruara. Prokurorët e Tiranës në nëntor 2024 e dërguan për kompetencë “pataten” e nxehtë të mikrokredive në SPAK, pas katër vjet hetimesh pa një rezultat final.

Prokuroria e Tiranës transferoi për në SPAK edhe një çështje të tretë në vitin 2024. Hetimi i nisur për një rast mashtrimi me kredi, e çoi prokurorin Leonard Filopati drejt kupolës së Bankës së Shqipërisë. Filopati thuhet se zbuloi lidhje të drejtorëve kryesorë të BSH-së, përfshirë edhe Deniz Derallën me skemën e shitje-blerjes së mikrokredive. Të gjithë bashkë ai i përcolli në zyrën e Altin Dumanit. Nuk është e qartë nëse hetimet për këtë çështje të tretë rreth aferës së mikrokredive po i zhvillon vetë kreu i SPAK, apo është bashkuar me çështjet e tjera.

Afera e mikrokredive ka shkaktuar disa të vdekur dhe mijëra viktima financiare. Me sa duket hetimet kanë gjetur fundin dhe autorët e gjallë, për t’i shenjuar me vulën “fajtor”. SPAK është një makineri që lëviz shumë ngadalë, por ka treguar se kur shkel, shkel shumë rëndë.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *