Prej javësh jo vetëm priza.al por edhe të tjera media kryesisht online kanë publikuar një sërë artikujsh rreth aferave të Endri Pukës në kohën që drejtonte “Albpetrol” dhe se si një “lumë” parash vërshuan nëpër kompani dhe investime pasi Puka u shkarkua nga detyra.
Mediat raportuan se si Endri Puka, bashkëshortja e tij Ela Puka si dhe dy ish vartës të tij, pa asnjë historik bisnesi, me largimin e Pukës nga detyra shtetërore themeluan një rrjet kompanish nëpërmjet së cilave qarkulluan miliona euro me prejardhje të dyshimtë.
Mediat raportuan dhe bënë thirrje me të drejtë, që drejtësia të hetojë këtë mega aferë që në qëndër të saj ka kompaninë “APSUS shpk” e cila është cilësuar si “çelësi” për të zbërthyer një nga mega aferat e 30 viteve të fundit.
E ndërkohë që mediat investigonin dhe raportonin rreth kwsaj mega afere, nga ana tjetër ndodhnin të tjera procese. Përzgjedhja e kreut të ri të BKH.
Byroja Kombëtare e Hetimit, e mbetur pa drejtues pas mbarimit të mandatit të ish drejtueses, ishte në garë të ethshme për emrin e ri. Një ndër konkurentët ishte pikërisht ai që u zgjodh, dhe që priza.al e paralajmëroi që prej nisjes së procesit. Kunati i Alban Pezës, shtetasi Joni Keta tashmë është në timonin e “FBI Shqiptare” me bekimin dhe ndikimin e drejtpërdrejtë të Altin Dumanit.
Përzgjedhjen e emrit të Joni Ketës në krye të BKH shumica e mediave e përshëndetën.
Ironikisht shumica e mediave që “përshëndetën” dhe “miratuan” emrin e Joni Ketës si kryehetues i BKH, janë po të njëjtat media që shkruajtën dhe raportuan për mega aferën e “Albpetrol” e cila si protagonist kryesor ka Endri Pukën dhe Alban Pezën.
Çfarë është “APSUS shpk” dhe pwrse wshtw çelësi i drejtësisë?
Në 21 qershor 2022 kompania Anio Oil & Gas me administrator dhe ortak të vetëm Alban Gani Pezën, vendos të themelojë një kompani “bijë” që e quajti “APSUS shpk”.
Më 28 shtator 2023, “APSUS shpk” i shet 20% të aksioneve të saj ish futbollistit të Tironës, shtetasit Eldorado Shpëtim Merkoçi. Ish sulmuesi bleu 20% për rreth 200 euro.
Më 10 tetor 2023, “APSUS shpk” me pronar Alban Pezën, vendos që t’i shesë pronarit, pra Albanit 20% të aksioneve për rreth 200 euro.
Më 12.12.2023 futbollisti Eldorado Merkoçi del nga “loja” dhe i shet për 200 euro, po aq sa i kishte blerë, 20% e aksioneve të veta shtetasit Andon Daka i cili është një ndër aksionerët e bankës “Credins”.
Më datë 15.12.2023 “APSUS shpk” shet sërish aksione. Kësaj here për 200 euro i shet 20% shtetases Ela Puka, bashkëshortes së Endri Pukës.
Më pas sërish “Apsus shpk” vendos të shesë tek shtetasi Ylli Cenaj 20%, sërish për 200 euro.
Më pas më datë 19.12.2024, Alban Peza nga aksionet e veta personale tek “APSUS shpk” që është po kompani e tij, i shet 10% aksione shtetases Ela Puka për 100 euro.
Përfundimisht nga viti 2022 lëvizjet e kuotave dhe aksionarëve ndryshuan rregullisht deri në vitin 2025 duke patur pasqyrimin si më poshtë përsa i përket aksioneve të “APSUS shpk”:
1-Alban Peza 30% të aksioneve
2-Ela Puka 30% të aksioneve
3-Ylli Cenaj 20% të aksioneve
4-Andon Daka 20% të aksioneve.
Dhe me marrjen 30% të kompanisë nga Ela Puka, viti 2024 ishte vit i artë për bilancet e “APSUS shpk”. Dhjetra milionë euro të qarkulluara nga kompania “bijë” e Anio Oil&Gas.
Objekti i veprimtarisë së “APSUS shpk” është i gjerë. Duke filluar nga hidrokarburet, pronat e paluajtshme, investimet në ndërtim, shitblerje në bursën kombëtare dhe ndërkombëtare të energjisë e shumë të tjera.
Çfarë e lidh Joni Ketën me këtë histori dhe a jemi në kushtet e konfliktit të interesit?
Joni Keta, drejtuesi i sapozgjedhur i Byrosë Kombëtare të Hetimit është kunati, pra vëllai i bashkëshortes së Alban Pezës.
Alban Peza sipas dokumenteve më sipër, por edhe atyre të botuara më herët është “babai” i “APSUS shpk” e cila tashmë kë bashkëpronar edhe Ela Pukën, bashkëshorten e Endri Pukës. Dhe “APSUS shpk” është një kompani “bijë” e ANIO OIL & GAS, duke bërë kështu të mundur që nëpërmjet shitblerjeve të aksioneve me vlera 100-200 apo 300 euro, sot Endri dhe Ela Puka dhe Alban Peza gjenden në kushtet e një ortakërie që i lidh koha kur Peza duhet të ishte subjekt i kontrolleve të Pukës, por në fakt ishte thjesht sekseri i tij.
Nga mega afera e “Albeptrol” nga ku Endri dhe Ela Puka dolën me një “tufë” kompanish dhe ortakërie me Alban Pezën, dhe janë qarkulluar miliona euro jashtë sistemit banker Endri dhe Ela Puka së bashku me Alban Pezën dhe të tjerë vartës të Pukës, dyshohet se në formën e një grupi të strukturuar kriminal, jo vetëm kanë vjedhur “nëntokën” shqiptare por edhe kanë kryer veprën penale të pastrimit të parave.
Një rrjet kompanish ku janë përfshirë të sipërpërmendurit, e provon më së miri këtë.
-Dhe gjithë këtë aferë kush do ta hetojë?
-Spak.
-Po hetimet në emër të SPAK kush i kryen?
-Byroja Kombëtare e Hetimit.
-Kush e drejton Byronë Kombëtare të Hetimit?
-Joni Keta.
-Çfarë e ka Joni Keta një ndër protagonistët e kësaj mega afere?
-Kunat!
Kjo është fabula që “shoqeron” dosjen “Albpetrol”. Njeriu i cili duhet ta hetojë, është familjar i njërit prej protagonistëve të kësaj afere. Ndërkohë mediat që kërkuan hetimin e këtij karteli kompanish të Endri Pukës dhe Alban Pezës, “duartrokasin” zgjedhjen e Joni Ketës në krye të BKH.
Nga absurdi në absurd, duket se vendi sot është në një rreth “vicioz” absurdi, i cili vijon deri në absurd të mos ndalojë!
COPYRIGHT PRIZA.AL
