SPAK bllokoi dosjen ndaj Flamur Nokës “për të shmangur kaos politik dhe trazira publike”, ndërsa Aida Hajnaj refuzoi marrëveshjen e heshtur të shefave të saj…
Një nga konfliktet më të forta mes ish-drejtoreshës së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Aida Hajnaj, dhe drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, lidhet me dosjen e hetimit për korrupsionin dhe aferat financiare të deputetit Flamur Noka.
Mbështetur në disa indicie, kallëzime penale dhe referenca nga agjenci gjurmuese të SHBA-ve, SPAK rihapi një dosje të mbyllur më parë për Flamur Nokën — dosje që ishte pushuar nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla në tetor 2014 dhe refuzuar për rihapje nga ish-prokurorja e Përgjithshme Arta Marku në maj 2018.
Sipas ligjit dhe provave të siguruara, hetimi u krye nga një grup agjentësh të BKH-së, me objekt përfitimet e familjarëve të Flamur Nokës nga Enti Kombëtar i Banesave. Hetimi dokumentoi përfitimin e katër apartamenteve në Sarandë, të marra me mashtrimin se ishin “familje të pastreha”.
Sipas dosjes, këto banesa i kanë përfituar motra e Flamur Nokës me banim në Kamëz, dy vëllezërit e tij (njëri me banim në Belgjikë, tjetri në Tiranë) dhe gruaja belge e vëllait, në periudhën 2006–2008, kur Noka ishte kryetar i Bordit të Entit të Banesave.
Hetimi i BKH-së u zgjerua edhe për periudhën kur Flamur Noka ishte deputet dhe ministër i Brendshëm, duke përfshirë familjarët dhe personat e lidhur me të. Hetimi evidentoi pasuri të padeklaruara, të ardhura të pajustifikuara, transaksione financiare të dyshimta, pastrim parash, fshehje pasurish te të afërm e miq, akte shitje dhe dhurime reciproke, si dhe një kredi 50 milionë lekë të marrë me dokumente false si “i pastrehë”.
Hetimi pasuror u shtri në Kadastër, në të gjitha bankat, agjencitë e transfertave financiare, fondet e kursim-kredive dhe zyrat noteriale, duke zbuluar prova të shumta për pasuri të paligjshme dhe fshehjen e tyre.
Dosja hetimore, e përgatitur dhe e firmosur nga Aida Hajnaj, iu dorëzua SPAK-ut për procedim penal ndaj Flamur Nokës dhe personave të lidhur me të. Por drejtuesit e SPAK, sipas burimeve, refuzuan ta procedonin çështjen penalisht, duke i kërkuar drejtoreshës së BKH-së që të pranonte “mbylljen e heshtur” të dosjes, me arsyetimin se ndjekja penale ndaj Nokës “do të shkaktonte trazira politike”.
Aida Hajnaj refuzoi dhe e informoi ekipin e FBI-së që bashkëpunon me BKH-në dhe SPAK-un, duke deklaruar se kërkesa për pushimin e çështjes iu servir si “kujdes shoqëror” ndaj situatës politike.
Deri më 2 qershor 2023, Flamur Noka ishte thirrur dy herë në BKH dhe një herë në SPAK, ku ishte pyetur dhe i ishin paraqitur provat, përpara se dosja të kalonte për procedim penal dhe kërkesë për heqjen e imunitetit. Por hetimi u bllokua nga SPAK dhe çështja nuk avancoi.
Më 27 qershor 2025, Flamur Noka u thirr sërish në SPAK, por për kallëzimin që ai vetë ka bërë ndaj Partisë Socialiste për “krime zgjedhore”, ndërsa dosja pasurore është ngrirë me arsyetimin “mungesë provash”.
Ndaj Flamur Nokës është hapur edhe një hetim tjetër, për firmat e tij si Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, në kontratën e lobimit prej 6 milionë dollarësh për heqjen e “Non Gratës” së Sali Berishës dhe kontratën elektorale me Chris LaCivitën.
Mbetet për t’u parë nëse edhe ky hetim do të pushohet për mungesë provash, apo për “merak” që të mos shkaktojë sërish “kaos politik dhe trazira publike”.
*Materiali eshte pronesi intelektuale e www.pamfleti.net
