Kryedemokrati Basha, duke i’u referuar raporteve, ka thënë sot se 94 përqind e shqiptarëve ikin për të studiuar jashtë dhe nuk dëshirojnë të kthehen më në Shqipëri. Në vazhdimësi të asaj që Basha e quan “100 dështimet e Ramës në 8 vjet”, kryetari i PD-së ka shtruar pyetjen: Cila është përqindja e të rinjve që studiojnë jashtë dhe që nuk dëshirojnë të kthehen në Shqipëri?
Sipas tij përgjigja është 94%, ndërsa thekson se “rrjedhja e trurit përbën një shqetësim madhor, pasi vendit i pakësohet forca më vitale e Shqipërisë dhe ekonomisë”.
Basha i është referuar raportit të ‘VOA-s’,sipas të cilit çdo vit, afro 10% e numrit të studentëve, sipas autoriteteve zyrtare zgjedhin të studiojnë jashtë vendit. Ekspertët e konsideruan këtë si ‘rrjedhje te trurit’, pasi vendit në terma afatgjatë, siç shprehen ata, do t’i mungojë shtylla e shoqërisë dhe ekonomisë.
Ndërkohë, Basha ka rikujtuar se nga zgjedhjet e 25 prillit kanë mbetur edhe 36 ditë.