Edi Rama si “tiktoker” i pa informuar/ Promovon në podcast doktoreshë Vilma Tafilajn që masakroi gazetaren

Skandal – Vilma Tafilaj dëmtoi fytyrën e gazetares, Ujeza Dolshani e denoncon publikisht 

Në një vend normal, një mjeke që akuzohet publikisht se ka djegur fytyrën e një pacienteje dhe më pas ka ikur nga përgjegjësia, nuk do të ftohej në podcast-e qeveritare për t’u promovuar si model suksesi. Në Shqipëri, po.
Gazetarja Ujeza Dolshani ka bërë publike një dëshmi tronditëse për një trajtim estetik të kryer nga doktoresha Vilma Tafilaj, një trajtim i shitur si “jo invaziv”, por që sipas saj përfundoi në dëmtim të përhershëm të fytyrës. Jo një irritim i lehtë. Jo një efekt anësor kalimtar. Djegie. Plagë. Shenjë permanente.
Dhe këtu nuk mbaron historia. Përkundrazi, këtu fillon skandali i vërtetë.
Pas dëmtimit, sipas rrëfimit të gazetares, nuk pati as ndjesë, as transparencë, as përgjegjësi profesionale.
Fillimisht heshtje. Pastaj përgjigje tallëse. Në fund, mohim i plotë i faktit, si nga mjekja, ashtu edhe nga klinika private Repeat Medical Clinic, ku ajo ushtron aktivitetin.
Një sjellje që nuk i ngjan mjekësisë. I ngjan arrogancës së pushtetit pa kontroll.
Dolshani tregon se u detyrua të largohej përkohësisht nga ekrani, sepse fytyra e saj ishte një plagë e hapur, e djegur, e pamundur për t’u mbuluar. Për një gazetare televizive, kjo nuk është thjesht problem estetik. Është ndëshkim profesional, humbje e të ardhurave, tronditje psikologjike dhe izolim publik.
Ndërkohë, doktoresha në fjalë vazhdon normalisht aktivitetin e saj, punon në QSUT, ushtron në klinikë private dhe promovohet në hapësira publike si “specialiste e suksesshme”. Pa asnjë sqarim. Pa asnjë përgjegjësi. Pa asnjë reflektim.
Kjo ngre disa pyetje që nuk mund të shmangen më:
Kush mban përgjegjë kur një trajtim “estetik” shkatërron fytyrën e një pacienteje?
Kush kontrollon mjekët që ushtrojnë njëkohësisht në sistemin publik dhe privat?
Dhe mbi të gjitha: pse heshtin institucionet?
Ky nuk është një sulm personal. Është një akuzë publike për një sistem që mbron emrat dhe braktis njerëzit. Një sistem ku viktima mbetet me plagën, ndërsa mjekja me imazhin.
Nëse doktoresha Vilma Tafilaj pretendon se kjo histori nuk është e vërtetë, atëherë ka një detyrim minimal: të dalë publikisht, të sqarojë, të ballafaqohet me faktet. Heshtja nuk është mbrojtje. Është pranim i dyshimit.
Sepse në mjekësi, gabimet ndodhin.
Por ikja nga përgjegjësia është zgjedhje.
Dhe plagët në fytyrën e një gazetareje janë shumë më të rënda se çdo goditje ndaj imazhit të një doktoreshe të privilegjuar nga pushteti i një podcasti.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *