Nga Avokat Arben Llangozi
Në demokracitë perëndimore, mjafton një dokument i dyshimtë, një rrjedhje informacioni apo edhe një dyshim publik që përfshin një ish-zyrtar të lartë, dhe reagimi vjen pothuajse menjëherë: deklaratë publike, sqarim institucional, verifikim i hapur. Në Shqipëri, përkundrazi, heshtja duket se është forma më e përhapur e komunikimit me publikun.
Së fundmi, lista të publikuara nga grupe hakerësh iranianë përmendin emrin e ish-Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, si bashkëpunëtore e Shërbimit Informativ Shqiptar (SHISH). Burimi është jozyrtar, po ashtu si shumë skandale që më pas janë konfirmuar pjesërisht ose plotësisht në realitetin shqiptar. Megjithatë, ajo që bie më shumë në sy nuk është vetë pretendimi, por mungesa totale e çdo reagimi.
Ina Rama nuk ka dalë të thotë as “po”, as “jo”. SPAK, institucioni që supozohet të hetojë çdo çështje që prek integritetin e shtetit dhe drejtësisë, nuk ka bërë asnjë njoftim. KPA, që ka për detyrë të ruajë standardin moral dhe profesional të sistemit, nuk ka gjetur ende arsye për të folur. Në vend të sqarimit, publikut i ofrohet heshtje, një heshtje që në vetvete flet shumë.
Në vende të tjera, një ish-prokuror i përgjithshëm do të dilte menjëherë për të mbrojtur emrin e tij, qoftë edhe për të thënë se bëhet fjalë për një absurditet. Në Shqipëri, duket se logjika është tjetër, nëse nuk flet askush, ndoshta çështja do të harrohet.
Ironia qëndron në faktin se reforma në drejtësi u promovua si epoka e transparencës dhe llogaridhënies. Por përballë një pretendimi që prek drejtpërdrejt sigurinë kombëtare, pavarësinë e drejtësisë dhe besimin publik, institucionet zgjedhin modelin e vjetër, mos shpjego, mos sqaro, mos reagoi.
Pyetja që lind natyrshëm nuk është më nëse lista e hakerëve është e vërtetë apo jo. Pyetja është më e thjeshtë dhe më e drejtpërdrejtë:A duhet një ish-Prokurore e Përgjithshme t’i japë shpjegim publikut nëse ka qenë apo jo bashkëpunëtore e SHISH? Dhe pse institucionet që predikojnë transparencën sillen sikur kjo çështje nuk ekziston?
Derisa të ketë një përgjigje, krahasimi me standardet ndërkombëtare do të vazhdojë të jetë i hidhur, dhe heshtja do të vazhdojë të ushqejë pikërisht atë që institucionet pretendojnë se luftojnë: dyshimin dhe mosbesimin publik.
