Emërimi i paligjshëm i Adela Xhemalit në krye të AMF/ A do të bëhet palë Kuvendi duke e votuar në shkelje flagrante të konfliktit të interesit dhe përse hesht opozita?

Pas përfundimit të mandatit të kryetares aktuale të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, qeveria “hapi” garën për drejtuesin/en e re të institucionit. Dhe pasi u menduan gjatë, propozuan emrin e znj Adela Xhemali për të qënë në krye të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare (AMF). Zonja Adela Xhemali ka një CV të gjatë për tu admiruar.

Adela Xhemali ka mbajtur postin e Zëvendësministrit të Financave dhe Ekonomisë gjatë periudhës shkurt 2020 – mars 2025. Fushat e saj të përgjegjësisë janë përqendruar në makroekonomi; planifikim dhe buxhetim; thesar; borxh publik dhe menaxhim të financave publike, si edhe proceset e integrimit evropian. Më herët ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Njësisë së Projekteve Kombëtare të Zhvillimit, Drejtorit të Programimit Financiar dhe Ndihmës së Huaj në Kryeministri, si dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Departamentit të Thesarit dhe Menaxhimit të Borxhit Publik.

Gjatë viteve 2020–2025, znj. Xhemali ka qenë përfaqësuese e Republikës së Shqipërisë, në rolin e guvernatores, zëvendësguvernatores apo anëtare e këshillave administrativë, në disa institucione financiare ndërkombëtare dhe banka shumëpalëshe zhvillimi, si FMN, grupi i Bankës Botërore, MIGA, BERZH, CEB, ISBD, etj.

Ajo ka mbajtur pozicionin e anëtarit të bordit ose kryetarit të bordit në institucione të ndryshme shqiptare, si Agjencia e Sigurimit të Depozitave, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Korporata e Investimeve Shqiptare, etj.

Përvoja e znj. Xhemali në sektorin privat është përqendruar në industrinë bankare, ku ka mbajtur pozicione drejtuese, si Drejtor Financiar (CFO) dhe Zëvendëspresident i American Bank of Albania dhe Intesa Sanpaolo Bank për 13 vite.

Ajo është diplomuar në Universitetin e Tiranës me Master Shkencor në Financë/Bankë dhe në Universitetin e Liverpool-it, me diplomë Bachelor në Administrim Biznesi. Gjithashtu ka ndjekur studime në Hult Ashridge Executive Education dhe në Harvard Kennedy School Executive Education.

Kjo është CV e znj Adela Xhemali, aktualisht e propozuar nga Këshilli i Ministrave për postin e drejtueses së AMF.

Çfarë është Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare?

I krijuar në vitin 2006, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) është institucion publik, i pavarur nga ekzekutivi, përgjegjës për rregullimin dhe mbikëqyrjen e sistemit financiar jobankar dhe operatorëve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë sektor. AMF raporton në Kuvend për aktivitetin e tij.

Fusha kryesore e veprimtarisë së Autoritetit është rregullimi dhe mbikëqyrja:

  • e tregut të sigurimeve dhe operatorëve të tij;
  • e tregut të titujve dhe operatorëve të tij;
  • e tregut të pensioneve private vullnetare dhe operatorëve të tij;
  • e veprimtarive të tjera financiare jobankare.

Funksioni i Autoritetit është që me anë të mjeteve ligjore, administrative dhe të informacionit, të mbrojë konsumatorët, si dhe të ruajë stabilitetin e transparencën në fushën e sigurimeve, titujve dhe pensioneve private vullnetare. Aktiviteti i AMF karakterizohet nga profesionalizmi, transparenca dhe standardi i lartë i shërbimit për të gjitha grupet e interesit; thuhet në faqe zyrtare të institucionit.

Pra drejtuesi/drejtuesja e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare është një miksim i një “ministrie financash” dhe “policie financiare” që i rri si “çekan” tek koka subjekteve financiaro-ekonomik që të mos abuzojnë me të shkretin qytetar.

Dhe duke qënë një institucion i një rëndësie kaq të veçantë, Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare që në vetvetet mbikqyret dhe raporton në Kuvendin e Republikës, funksionon me një rregullore të posaçme.

Kjo rregullore e cila nuk është një copë letër bakalli, ka një arsye se përse është hartuar. Dhe një ndër pikat kryesore, është për të shmangur konfliktin e interesit.

Dhe është pikërisht neni 5 i ligjit të funksionimit të AMF, që thotë shprehimisht:

 

“ NUK MUND TË JENË ANËTARE TE BORDIT PERSONA TË CILET:

 

a-Në tre vitet e fundit kanë qënë ortakë, aksionarë, apo anëtarë të organeve drejtuese të subjekteve të mbikqyrura.

 

b-Kanë lidhje familjare me personat e parashikuar në shkronjën “a” të këtij paragrafi

 

c-në tre vite e fundit kanë qënë punonjës me kohë të pjesshme apo të plotë në subjektet e mbikqyrura.

 

Po çfarë e pengon znj Xhemali që të jetë e ligjshme në krye të AMF?

Siç e pamë edhe nga CV e znj Xhemali ajo plotëson çdo kusht dhe kriter profesional për ta drejtuar një institucion të tillë. Por rregullorja e sipër cituar e bën të jashtëligjshëm vendimin e qeverisë për emërimin e znj Xhemali. Arsyeja është se bashkëshorti i znj Xhemali, shtetasi Armand Muharremi deri në muajin maj të vitit 2025 ka mbajtur postin e CEO së Këshillit Administrues së një fondi investimesh të një banke të nivelit të dytë.

Pra institucioni që do të drejtojë znj Xhemali do të kontrollojë institucionin që bashkëshorti i saj ka qënë CEO. Dhe pikërisht për të shmangur situate të tilla, është neni 5 i rregullores të cilin Këshilli i Ministrave nuk e ka marrë parasysh kur ka vendosur propozimin dhe emërimin e znj. Xhemali në krye të AMF.

Si do të votojë Kuvendi i Republikës dhe qendrimi i opozitës?

140 burra të cilët paguhen miliona lek në muaj nga taksat tona, janë ligjvënësit tanë. Ata propozojnë, hartojnë dhe votojnë ligje dhe emërime, të gjitha këto duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Jo se deputetët nuk e kishin këtë informacion më përpara, por jemi duke ia dhënë publikisht: Të nderuar Parlamentarë, të majtë dhe të djathtë. Votimi për emërimin e znj. Adela Xhemali në krye të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare është i jashtëligjshëm, pasi gjendet në kushtet e konfliktit të pastër të interesit.

Ju si do të votoni? Sipas interesit të ligjit dhe Kushtetutës ndaj së cilës jeni betuar, apo sipas interesit të atij që iu urdhëron?

Interesant është qendrimi i opozitës, e cila një emërim kaq flagrant në shkelje të ligjit, po e kalon si në heshtje.
Përse stepet opozita? Nuk i di këto informacione? Edhe nëse nuk i dinte, ja po i lexon sot. A do të reagojë duke treguar që është mbrojtëse e ligjit dhe Kushtetutës, apo është pjesë e pazareve me Edi Ramën që njerëzve ia shesin si “opozitarizëm”?

©priza.al

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *