UNIT POWER/ Rezidenca e krimit që nis në Vreshtas dhe përfundon në zyrat e Bashkisë Tiranë, ja rrjeti i kompanive që fshehin Arben Kacos dhe Janaq Male (Provat e fakteve penale)

Kemi shkruar disa herë për një kompleks vilash që po ndërtohet me shpejtësi “skëterrë” pranë zonës luksoze “TEG”, kompleks që do gëlltisë rreth 15 milionë euro e që po ndërtohet nga kompania “Unit Poëer” me projekt të “Unit Studio”. Kanë dalë edhe emrat kush është formalisht në tabelën e këtij kompleksi.

Pas një investigimi disa javësh, ku ekipi i priza.al shkoi në Korçë, Goricë të Vogël, Maliq, Vreshtas, Elbasan, Durrës dhe në disa rezidenca në Tiranë, fakte tronditëse dhe fije të lidhura korrupsioni dolën në dritë.

“Unit Power” është një kompani që është themeluar më 10 maj të vitit 2023 nga dy ortakë: njëri është Aleks Male, ndërsa tjetri është Flavjo Kaços, djem të baballarëve “ustallarë” nga juglindja e vendit.

Arben Kaços, një ish i dënuar nga Maliqi i Korçës, në bashkëpunim me Janaq Malen, një minoritar maqedonas nga Goricë e Vogël, fshat kufitar, kanë krijuar një rrjet biznesi që nga pas do ketë sigurisht “me pushtet”. Të dy baballarët kanë përdorur djemtë e tyre për të ngritur një rrjet merimange që përfundon në ndërtime shumëmilionëshe si ky që po investigon priza.al prej disa javësh.

Arben Kaços njihet në qytetin e Korçës dhe rrethinat si bastexhi dhe bixhozxhi, që kishte disa pika lloto (Top Bast). Bashkë me të vëllanë Agim Kaços u morën me transport “gomash” dhe ikonash me shoqëritë “Continental” dhe “I.T.S International Tyres Sweden”, po pa sukses. Suksesin e kishin gjetiu… në ndërtim.

Djemtë e Arben Kaços, Xhuliano dhe Flavjo Kaços, së bashku me nënën e tyre Marjeta Osmani, u futën në rrjetin e Arben Kaços për të humbur gjurmët e tij. Me një divorc fiktiv, Arben Kaços hapi fjalë që nuk kishte më punë me gruan, por në të kundërt e përdori bashkë me njërin djalë.

ALBAPOWER me NIPT L84726002K është një kompani në emër të Marjeta Osmanit dhe Flavjo Kaços, që merret me “Grumbullim, përpunim, riciklim dhe tregtim i mbetjeve të ngurta metalore”.

XH.F.KAÇOS me NIPT L54008001D, është kompani tjetër në emër të Marjeta Osmanit, Xhulio dhe Flavjo Kaços, që përdoret për “Tregti me shumicë e pakicë e karburanteve të llojeve të ndryshme, e vajrave lubrifikantë dhe e nënprodukteve të tjera të naftës”.

Nga këto aktivitete, minorenët e Arben Kaços u futën në ndërtim. Unit Poëer me NIPT M31722024K, ka 50% pronar Flavjo Kaços dhe 50% Aleks Malen, të birin e Janaq Males. Administrator i kompanisë që do bëjë vilat buzë TEG-ut është djali tjetër, Xhuliano Kaços.

Kush është Janaq Male?

Janaq Male, minoritari nga Goricë e Vogël e Korçës, ka dy djem, Aleks dhe Gjergji Male.

Janaqi është Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit CNVP në Shqipëri. CNVP Shqipëri është një organizatë joqeveritare që merret me menaxhimin dhe ruajtjen e burimeve natyrore. Ironike por e vërtetë: Aleksi, djali i tij, merret me prerjen e pyjeve për të bërë rezidenca banimi në Shqipëri.

Të dy djemtë, si fillim, janë sistemuar në njësitë e Bashkisë Tiranë, nga babai i tyre që merrej me projekte ‘pro-pyjeve’, me lidhje të forta me ata që i prisnin ato.

Gjergji Male, pas praktikës nëpër njësitë e Bashkisë Tiranë, u sistemua në IMT, ku shquhet për lojë të “ndershme” nëpër pjergolatat që ndërtohen pa leje nëpër Tiranë. Vëllai i Aleksit ka aksione të fshehura në ndërtimin që po bëhet pranë TEG-ut, së bashku me babanë e tij.

Aleksi vetë është bashkëortak i fshehur në kompaninë KEG me NIPT L91324017H, në të cilën ishte administrator me Elion Matja, ky i fundit një nga drejtorët e Bashkisë Tiranë deri para pak vitesh. Zotërues të KEG janë në të vërtetë ARKONSTUDIO dhe Sokrat Këri. Sokrat Këri, një inxhinier pyjesh, ka Shoqatën Rajonale të Kullotave dhe Pyjeve dhe bashkëpunon ngushtë me Janaq Malen, ndërkohë që Erjon Këri, i biri, merret me ndërtim.

Erjon Këri, bashkë me Elion Matja, kanë kompaninë e ndërtimit ARKON KONTRAKTOR me NIPT M02327017Q. Kjo e fundit është përthithur nga KEG, ku ishte administrator Aleks Male.

Një konglomerat kompanish që përthithin dhe shkrihen me njëra-tjetrën, u gjetën në rrugën nga Gorica – Maliqi në Tiranë.

Ky është fillimi i një hetimi që nxjerr në pah një megamashtrim që nis nga baballarët e përfundon te bijtë e tyre.

Më e veçanta në këtë hetim është përdorja e shoqatave për mbrojtjen e mjedisit e të pyjeve, si sopata për t’i prerë e shkatërruar ato, aty ku redaksia ka pikasur edhe një pjesë të kapitalit që po investohet tek TEG. Miliona euro nga shoqatat për mbrojtjen e pyjeve, përfundojnë duarve të xhambazëve që presin pemë dhe ndërtojnë, e njëkohësisht edhe pastrojnë para pa u ndalur.

© priza.al

Vijon

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *