Edhe pse sistemi i drejtësisë shqiptare ka plagë të hapura, më e rënda është kur një gjyqtar – jo çdokush, por zv/Kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë – vendos të zhveshë petkun e paanshmërisë për të veshur atë të hakmarrësit të verbër.
Rasti i Gerd Hoxhës, i cili në mënyrë skandaloze ka ndërmarrë një fushatë personale kundër kandidatit për drejtor të BKH-së, Elton Kërluku, është dëshmi rrëqethëse se si një individ që duhet të mishërojë paanshmërinë ligjore, në fakt vepron si një armik publik i parimeve mbi të cilat është ndërtuar drejtësia.
Letra e tij, me një ton cinik e me mbështetje në burime që ligjërisht nuk duhej t’i kishte në dispozicion, përbën jo vetëm një shkelje flagrante të etikës së një gjyqtari, por edhe një abuzim të pastër me funksionin publik që mban. Gerd Hoxha nuk heziton të përpilojë një dosje “hetimore” ndaj një kandidati për një post, vetëm se dikur ai firmosi kundër kualifikimit të Gerd Hoxhës në GJKKO.
Ky është një precedent i frikshëm: një gjyqtar që pasi dështoi në karrierë, përdor pozicionin e tij për të ndëshkuar ata që kanë mundësi reale për të ecur para– një akt i pastër hakmarrjeje personale, të një njeriu që guxon të mbajë veshur petkun e drejtësisë.
Më shqetësuesja është se dokumentet dhe të dhënat që Gerd Hoxha përmend në letrën e tij janë referenca të medias që, sipas çdo standardi ligjor, nuk mund të përbëjnë prova zyrtare. Por më rëndë akoma: ka dyshime serioze se ai ka pasur akses të paligjshëm në informacion të klasifikuar, të cilin më pas e ka rrjedhur në media për ta përdorur si “argument” në një denoncim të turpshëm.
Për këtë veprim të shëmtuar, SPAK ka pasur të drejtë kur e ka skualifikuar. Ky person nuk përfaqëson drejtësinë, por përbën rrezik për të. Dhe Altin Dumani e di mire këtë…!
Si është e mundur që një njeri që nuk arrin dot të përballojë integritetin dhe përgjegjësinë morale që i takon një gjyqtari, të vijojë të jetë në sistem? Si është e mundur që një emër si Gerd Hoxha, që mezi i ka mbijetuar vetting-ut pasuror, por jo atij moral, sot të jetë zv/kryetar i një gjykate që jep drejtësi në emër të popullit?
Si ka mundësi që ky tip gjyqtari, ka mbi 10 vjet që prezantohet si kre’ i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, sikur ky union të jetë shterrë nga burrat e grate dinjitoze, apo nuk ekziston fare?!
Ajo që e bën edhe më të rëndë sjelljen e Gerd Hoxhës është fakti se ai, si gjyqtar duhet të ishte ndër të parët që njeh dhe respekton parimin themelor të rehabilitimit. Në vend që ta mbrojë këtë parim, ai e përdor shkarkimin e mbi 20 viteve para të një qytetari si mjet për eliminim moral dhe institucional, duke hedhur hije të rënda mbi vetë profesionalizmin e tij dhe duke dëshmuar qartë se nuk i ka kuptuar – ose më keq, i ka përçmuar – vlerat mbi të cilat ndërtohet drejtësia që ai vetë duhet të përfaqësojë. Kjo ngre pikëpyetje serioze jo vetëm mbi etikën e tij, por edhe mbi aftësinë për të gjykuar drejt dhe me integritet.
Dhe nëse drejtësia nuk vepron për këtë shkelje flagrante të detyrës, mbase do duhet të nisë së paku një hetim për të vërtetuar thashethemet që qarkullojnë mbi bëmat e tij post-vetting; si u bë me shtëpi, me grua e katandi sapo kaloi “lumin”. E nëse nuk ka pike empatie për familjarët e sëmurë të kandidatit që urren, si do i ndalojë thashethemet në korridoret e Prokurorisë së Përgjithshme: kush ia mbulon Gerd Hoxhës shpenzimet mijëra euro të kurimit të së motrës në Gjermani?
Në fund të fundit, ndoshta herës tjetër, përpara se të tentojë të zërë ndonjë tjetër post në sistemin e drejtësisë dhe para se ta largojnë me turp siç do e largojnë, do duhet t’i japë llogari shqiptarëve jo për letrat që shkruan, por për pasurinë që fsheh, për gjithë intrigat që bën me ca palo kolegë kundër sistemit të drejtësisë dhe për hakmarrjen patologjike që ushqen, jo vetëm për kandidatin për drejtor të BKH-së, kancelarin e Gjykatës së Tiranës apo kreun e SPAK, A. Dumanin, por dhe për të gjithë ata që ia dinë e njohin mirë aftësinë për të qenë aty ku është kacavjerrë, të jetë.
Rrugës së gjatë të poshtërsirave, ka ardhur koha t’i mbarojnë stacionet. Edhe kali edhe pallati kuq e ka një huq! Të mbarojë njëherë konkurrimi.
Ja letra qe Gerd Hoxha i dërgoi SPAK për kandidatin Elton Kërluku
Gjyqtari Gerd Hoxha shkresë SPAK-ut: Elton Kërluku i dënuar, të s’kualifikohet nga gara për BKH
