REL: Si mund të ndryshojë lufta moderne pas sulmeve ukrainase me dronë?

Më 1 qershor, rrjetet sociale u vërshuan nga pamje të disa sulmeve me kuadkopterë – një lloj droni – përmes të cilëve Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës kreu sulme ndaj bazave ajrore ruse, duke shkatërruar shumë mjete ajrore me rreze të gjatë veprimi.

Këto video me siguri janë duke u studiuar tani në dhomat ushtarake të planifikimit.

“Ky sulm duhet të jetë një zile zgjimi për ushtritë në gjithë botën”, ka thënë Stacie Petttyhohn, drejtore e Programit për Mbrojtje në Qendrën për Studime të Reja Amerikane, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Në shumë drejtime, sulmi i 1 qershorit ka qenë më efektiv sesa ato që janë kryer nga dronët me rreze të gjatë, sepse dronët e vegjël mund të shpërndahen, të navigojnë në shënjestra tjera dhe të godasin saktë në disa shënjestra nëpër baza të mëdha ajrore”, ka thënë kjo eksperte dronësh.

“Pika kryesore e këtij sulmi ishte infiltrimi dhe operacionet shumë afër bazave ajrore, të cilat duket se kanë qenë të mbrojtura lehtë, sepse pakkush mund të jetë shqetësuar për mundësinë e Ukrainës që të sulmojë kaq thellë në Rusi”, ka thënë ajo.

Ende mbetet e paqartë se prej nga janë manovruar dronët. Ukraina pretendon se çatitë e kamionëve që kanë bartur flotën e fshehtë të dronëve janë hapur nga distanca, për të mundësuar nisjen e kuadkopterëve.

Kuadkopterët që kontrollohen prej larg, zakonisht kanë probleme me komunikim teksa i afrohen shënjestrës. Megjithatë, në disa pamje që janë duke qarkulluar prej njërit dron sulmues, shihen imazhe krejtësisht të qarta, që dalin vetëm prej kuadkopterëve të kontrolluar me kabllo.

Dronë të tillë janë të limituar në rrezen që mund të përshkojnë, varësisht nga gjatësia e kabllos.

Përderisa lansuesit mobilë të Ukrainës janë parkuar vetëm pak kilometra larg bazave ruse, ky kufizim është tejkaluar, dhe pasojat kanë qenë shkatërruese.

Kievi pretendon se 41 avionë rusë janë shkatërruar. Një bloger me ndikim dhe pro-Kremlinit, vlerëson se dhjetë avionë janë shkatërruar.

Michael Boyle, profesor në Universitetin Rutgers dhe autor i një libri për luftën me dronë, ka thënë se “ekzistojnë plot strategji kundër dronëve, por që ato bëhen të padobishme kur është fjala për dronët me kabllo të fibrit optik, dhe ushtritë duhet t’i rimendojnë strategjitë për t’u përballur me dronë të fibrit optik, edhe nëse sulmet sikurse ato kundër Rusisë janë të rralla dhe vështirë të përsëritshme”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *