Zbardhet dëshmia e partneres së Renato Hoxhajt, 58-vjeçarit që u ekzekutua me armë zjarri mëngjesin e së dielës në Vlorë.
Ajo ka deklaruar para grupit hetimor se nuk di që 58-vjeçari të ketë pasur konflikte. Sipas saj, të shtënat i ka dëgjuar, por ka menduar se kanë qenë fishekzjarre.Deri më tani janë shoqëruar pesë persona në polici, por në dëshmitë e tyre nuk kanë dhënë detaje që mund të ndihmojnë grupin hetimor për ngjarjen. Sipas informacioneve nga policia, në vendngjarje janë gjetur 4 gëzhoja të një armë tip pistoletë 9 mm. Viktima ka marrë dy plumba në kokë dhe dy në trup.
Një prej kamerave të sigurisë ka arritur të filmojë autorin e kamufluar me kapele dhe mbuluar me shall për të mos zbuluar fytyrën. Deri më tani kamera e sigurisë ka filmuar autorin, i cili është larguar po nga e njëjta rrugë pranë Kodrës së Kuzum Babasë.
Nga kamera, shihet se autori ka ardhur nga kodra pas banesës së 58-vjeçarit. Grupi hetimor po mbledh kamerat edhe në zonën përreth me qëllim për të mbledhur të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e autorit.
