Partia Socialiste është në fushatë për mandatin e katërt të qeverisjes së vendit. Një situatë atipike, e pandodhur më parë por që po ndodh dhe po e jetojmë. Zgjedhje pas zgjedhje, mandat pas mandati të fituar, skandalet shtohen por qeverisja qendron. Qendron sepse është e “dënuar” të rrijë. Opozita e çorientuar nuk është gati në asnjë aspekt të drejtoje vendin. E në kushtet kur kundërshtar përballë nuk ka, e vetmja gjë që duket se i jep adrenalinë drejtuesve të Partisë Socialiste është “lufta” me njëri tjetrin.
Në shumë qarqe përplasjet e brëndshme janë kthyer në shqetësim për PS dhe kryeministrin Rama por ajo që po ndodh në Tiranë e më konkretisht më të deleguarin e njesisë nr5 Erion Braçe dhe me të deleguarin e zonës së Kombinatit Blendi Gonxhe është e paprecedentë. Të dy kandidojnë në listë të hapur, që do të thotë se të dy “luftojnë” për çdo votë që mund të marrin.
Sherret dhe përplasjet e tyre janë përshkallëzuar e kanë vajtur deri në vesh të kryeministrit i cili pas një periudhe heshtjeje që i la me shpresë “se po i zgjidhin vetë hallet e veta”, më në fund reagoi.
Në një mbledhje urgjente të kandidatëve për deputetë, kryeministri është përballur me revoltën e Erjon Braçes se përse Blendi Gonxhe duke shkelur urdhrin e kryeministrit nuk po bën fushatë vetëm në Kombinat, aty ku është deleguar, por ka dalë dhe mbledh vota personale në çdo cep të qytetit, rrethit dhe qarkut Tiranë. Kjo sipas Braçes është e padrejtë dhe jemi në kushte të pabarabarta duke patur parasysh që Gonxhe është një ministër i disa ministrive bashkë duke aluduar kështu se përdor resurset e administratës dhe influencën e pushtetit. Revoltën e tij Braçe e ka “legjitimuar” edhe me faktin se fjalët qarkullojnë se Gonxhe kërkon sa më shumë vota personale për deputet, për t’i hapur rrugën vetes të kërkojë “karriken” e Bashkisë së Tiranës.
Në këtë revoltë të shprehur nga kolegu socialist, vetë Gonxhe nuk ka reaguar por avokatinë e tij e ka bërë kryeministri Rama, i cili me fjalët e thëna dhe të pathëna, konfirmoi se mënyra e votë kërkimit nga Gonxhe, ka mbështetjen e tij.
Më pak se 14 ditë nga mbajta e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, Partia Socialiste është në kaos dhë përplasje mes vetes. Ethet mesa duket nuk janë vetëm për renditjen apo mandatin e 11 majit. Tjetërkund duket se po “gjuhen shigjetat”. Dhe ajo është karrikja e Kryebashkiakut të ardhshëm të Tiranës.
