Politikania franceze e të djathtës ekstreme, Marine Le Pen është shpallur fajtore për përvetësim të fondeve të Parlamentit Evropian për një periudhë 12-vjeçare.
Përmes një vendimi që ka shkundur politikën franceze dhe atë evropiane, gjykata në Paris ka thënë se ajo nuk mund të garojë për asnjë pozitë politike publike – që nënkupton se ajo duket që do të jetë jashtë garës për zgjedhjet presidenciale, të cilat duhet të mbahen më së largu në pranverën e vitit 2027.
Ajo është larguar nga seanca gjyqësore pa bërë asnjë koment. Ndonëse mund të apelojë vendimin – çdo hap mund të marrë vite – ka shumë mundësi që ky do të jetë fundi i karrierës së saj politike.
Le Pen, e cila ka garuar kundër presidentit aktual, Emmanuel Macron më 2017 dhe 2022, konsiderohej figura favorite për t’u bërë gruaja e parë presidente e Francës.
Më 2022, ajo pati fituar 41.5 për qind të votave në rundin e dytë, duke shënuar rezultatin më të mirë të një kandidati të së djathtës ekstreme në garën presidenciale të Francës.
Meqë Macronit i ndalohet të garojë për një mandat të tretë, Le Pen konsiderohej figura më e njohur për zgjedhjet e ardhshme, dhe sondazhet e hershme sinjalizonin që ajo do të mposhtte kandidatët tjerë nga e majta dhe e djathta.
