J. Edgar Hoover është drejtori legjendar dhe më jetëgjatë i FBI-së, i cili nuk lejonte femrat të rekrutoheshin sa kohë ishte në drejtimin e agjencisë. Pas erës së gjatë “Hoover”, FBI-ja ndryshoi shumë, krijoi standarde të barabarta për të gjithë të rekrutuarit dhe sot është një nga organizatat më të fuqishme investigative në botë.
Në Shqipëri, modeli i FBI-së u kopjua me “BKH”, Byronë Kombëtare të Hetimit. Në krye të saj, që në krijim, u zgjodh një grua, Aida Veizaj (Hajnaj), personazh i panjohur publikisht, pa asnjë peshë apo kontribut të zëshëm në fushën policore. Pas 5 vjetësh nga krijimi i BKH-së, drejtuesja Veizaj nuk njihet për asgjë; nuk është shfaqur asnjëherë publikisht qoftë dhe për të kuptuar sadopak nëse ka vlerat që kërkon posti i “Hoover-it” shqiptar. Ajo u zgjodh me pëlqimin e Arben Krajës, i cili ishte drejtues i SPAK-ut në kohën e emërimit të saj.
60 hetuesit e BKH-së janë po ashtu të panjohur për publikun, pasi procesi i rekrutimit të tyre u bë me nxitim “reforme” në kohën e pandemisë. Nuk dihet kush janë hetuesit “specialë”, nëse kanë eksperiencën dhe aftësitë që kërkon roli i tyre. A janë ata 60 profesionistët kompetentë për të hetuar korrupsionin në nivelet e Sali Berishës, Edi Ramës, Ilir Metës etj.?
Nga 424 kandidatë për në BKH gjatë vitit 2020, vetëm 103 prej tyre arritën të kalojnë testin e aftësive fizike. Nga këta, vetëm 60 u pranuan pasi kaluan testet në fushat e tjera që parashikonte ligji për hetuesit e “FBI”-së shqiptare. Kandidatët kaluan testin e arsyetimit logjik, testin e esesë, Vetting-un dhe Poligrafin (makinën e së vërtetës). Teste të përkthyera nga SHBA, të cilat do ta vinin në vështirësi kalimi edhe profesionistim më të aftë në fushën policore.
Hetuesit e kualifikuar me hile
Qëllimi i reformës në drejtësi ishte përzgjedhja e 20 prokurorëve më të mirë dhe 60 hetuesve me nivelin më të lartë të aftësive profesionale dhe morale, për të qenë ata që do të zbërthenin krimet e “jakave të bardha” dhe do të luftonin edhe kundër organizatave kriminale më të rrezikshme shqiptare.
Ligji 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” parashikonte kritere rigoroze për emërimin e hetuesve të BKH-së. Përveç kalimit të testeve të vështira dhe një trajnimi special më pas, sipas nenit 38, kandidati duhej të plotësonte kushtin e pasjes së arsimit të lartë policor, në drejtësi apo kontabilitet, ose arsimit të lartë në degë të tjera që kishin lidhje direkte me misionin e BKH-së. Një kusht tjetër ishte që kandidati të kishte një përvojë më shumë se 1-vjeçare pune në institucionet e zbatimit të ligjit ose në një fushë tjetër që lidhej me qëllimin e BKH-së.
Emërimi i 30 hetuesve të parë të BKH-së u bë në vitin 2021 nga shefja e BKH-së, Aida Veizaj, pasi për ta dha pëlqimin drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, siç ishte kërkesë e ligjit. Nga një sondazh i përciptë i emrave “fitues” të vitit 2021, zbulohet një skandal për të cilin askush nuk ka folur më parë. Shumë hetues “specialë” vinin nga një eksperiencë pothuajse zero, pa asnjë lidhje me zbatimin e ligjit dhe misionin apo qëllimin e BKH-së. Sekretare gjykatash, punonjës të administratës, persona të punësuar në aviacionin civil, ATP etj, mbushën radhët e 30 të parëve. Shumica me miq
Modeli “Gurguri” në BKH
Alketa Balla dhe Samet Gurguri janë dy hetues të emëruar në kundërshtim me ligjin, të cilët simbolizojnë modelin shqiptar të “FBI”-së.
Bashkëshortja e Alfred Ballës, ish-kreut të KLP-së, organit që kontrollonte edhe prokurorët e posaçëm, u emërua në BKH pasi “kaloi” me sukses të gjitha testet. Znj. Balla, nënë e dy fëmijëve, me një eksperiencë komode si specialiste në Qendrën Kombëtare të Licencimit (QKB), u konsiderua si kandidatja e duhur që plotësonte misionin dhe qëllimin e BKH-së.
Nga ana tjetër KLP e kryetarit Alfred Balla, miratoi çdo kërkesë të drejtuesve të SPAK, si ajo e emërimit të Ols Dados, prokurorit të “peshkuar” nga Prokuroria e Përgjithshme e Olsian Çelës.

Djaloshi nga Libofsha, Samet Gurguri, është bërë emër i njohur, pasi përmendet në çështjen e Monika Kryemadhit, Ilir Beqajt dhe, më e rëndësishmja, në çështjen “Veliaj”.
Sameti është hetuesi që dërgoi mesazhin e famshëm të “ditës së shtunë” në telefonin e Ajola Xoxës, mesazh që bëri Erion Veliajn të humbiste toruan dhe të “kërcënonte” po me mesazh hetuesin Gurguri, pasi ky i kishte shqetësuar gruan në kohë të papërshtatshme.
Samet Gurguri, me arsim juridik, të vetmen eksperiencë që e lidh me misionin e BKH-së ka punën disa vjeçare si “jurist” në Spitalin e Fierit.
Juristi i spitalit, nga kolegët njihej me nofkën “mustaqja” e Libofshës, për pasionin që kishte për të ndihmuar pacientët e pavionit të gjinekologjisë. I licencuar si avokat në 2020, 25-vjeçari, hetuesi i ardhshëm i BKH-së hapi në mes të gushtit 2020 një NIPT avokati me adresë në Libofshë, të cilin e mbylli pas disa muajsh, kur fitoi të drejtën për të qenë hetues i BKH-së.

Rregullorja Nr. 36, Datë 24.09.2020 për përzgjedhjen dhe rekrutimin e Hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, u shkel me të dyja këmbët, si për rastin “Gurguri” ashtu dhe për të paktën 15 të tjerë. Por rasti i rekrutimit të Samet Gurgurit mban më shumë “erë” për faktin se përfaqëson një person me prirje familjare ekstremisht të djathta. Familja “Gurguri” urren komunistët dhe dashuron demokratët.
Kjo njihet nga të gjithë bashkëfshatarët e komunës së Libofshës. “Sameti dhe vëllezërit e tij kanë qenë gjithmonë aktivistë të PD-së”, tregon një banor nga fshati Vanaj i komunës Libofshë.
Vetë hetuesi shqiptar me emër turk shfaq një ndjenjë të hapur armiqësie për “komunizmin” që në gjenezë dhe për pinjollët e tij. Kjo tregohet në një koment replikues ndaj postimit publik që bën ish-presidenti Ilir Meta, në përvjetorin përkujtimor të ngjarjeve të Luftës së Pezës.
