Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka komentuar shtyrjen e vendimit për rritjen e pagave për administratën publike, ndërsa theksoi se kjo tregoi paaftësi të Ministrisë së Financave. Në një intervistë për Panorama TV, ajo u shpreh se rritja e pagave është reklamuar prej 6 muajsh. Mes të tjerash Tabaku e cilësoi një justifikim naiv deklaratën e ministres Ibrahimaj se “nuk u zbardh dot vendimi i këshillit të ministrave”.
“Mendoni se opozita këtu në Parlament, nëse nuk do mazhoranca, mund të bllokojë diçka. Ajo që u pengua të miratohej pak muaj më parë ishte po nga mazhoranca. Askush nga ne nuk është naiv që të mendojë së deputetët e mazhorancës paskan këtë sens rebelimi dhe bllokojnë ligjet e qeverisë. Kemi dëgjuar që nga dhjetori i kaluar kryeministrin dhe ministren e Financave, që qartësisht kanë thënë: Janë llogaritur efektet, është një strategji e re e hartuar për pagat, fondet në buxhetin e shtetit janë megjithëse kemi thënë që ka një pikëpyetje të madhe për llogaritjen e fondeve për rritjen e pagave. Thanë që kanë llogaritur kategoritë etij dhe 185 mijë punonjës të administratës kanë të paktën v6 muaj që presin rritjen e pagave.
Rritja e tyre e pagës u votua edhe nga opozita si një akt i qartë i faktit që qeveria ka 10 vite që rrit paga. Duhet ta kishte ndihmuar administratën me të paktën normën e inflacionit. Kjo është një paaftësi e Ministrisë së Financave që nuk kanë qenë në gjendje që diçka që kanë 6 muaj që e reklamojnë ta vendosin që të hyjë në fuqi me datën 1 qershor. Edhe një arrogancë që dalin e nxjerrin justifikime që për mua janë fëminore e naive, që nuk u zbardh dot vendimi i këshillit të ministrave. 6 muaj që reklamojnë dhe nuk janë të aftë të bëjnë një përllogaritje të koeficentëve për vjetërsinë në punë, etj. Ministria e Financave e ka treguar paaftësinë e saj vazhdimisht këto vite. Kjo i vuri kapakun, qeveria që ankohet që nuk zbardhi dot VKM-të, po paaftësisë së tyre nuk i vendos dot emra.”, tha deputetja.