Policia e Shkodrës ka dhënë detaje lidhur me shoqërimin e kreut të FRPD-së për këtë qytet Arvit Bushati. Bëhet me dije se ai ishte shpallur në kërkim nën akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje dhe i ishte shmangur hetimit. Bushati është lënë i lirë pas verifikimeve.
“Në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen në kuadër të procedimit penal nr. 456, të vitit 2023, për një rast të korrupsionit aktiv në zgjedhje, të dyshuar të ndodhur më datë 12.05.2023, për të cilin u arrestuan 3 shtetas dhe u shpall në kërkim shtetasi A. B., 33 vjeç, i cili iu shmang hetimit, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Shkodër, ditën e djeshme, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, kanë shoqëruar në ambientet e Policisë, shtetasin A. B., 33 vjeç, banues në Shkodër,
Pas verifikimeve të kryera nga strukturat hetimore dhe oficerët e Policisë Gjyqësore, shtetasi A. B. është lënë i lirë.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër siguron qytetarët se strukturat e Policisë së qarkut Shkodër janë të angazhuara maksimalisht për të zbatuar ligjin me paanësi dhe rigorozitet, si dhe për të luftuar me vendosmëri krimin dhe paligjshmëritë. Në këtë kuadër, ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 ose në strukturat e Policisë, çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në zbatim të ligjit”., ka njoftuar policia.