Bashkimi Evropian është duke insistuar që Kosova dhe Serbia e kanë për obligim që të zbatojnë të gjitha pikat e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, bashkë me aneksin për të, pasi në të kundërtën do të përballen me pasoja. Palët kanë arritur pajtueshmëri për Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve më 27 shkurt në Bruksel, derisa për aneksin më 18 mars në Ohër.
Lidhur me zbatimin e kësaj Marrëveshjeje është deklaruar të martën sërish, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Ai është përgjigjur në pyetjet rreth deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili është cituar – nga mediat në Serbi – të ketë thënë se do t’i zbatojë disa pjesë të Marrëveshjes, por disa tjera nuk do t’i pranojë. Vuçiq, po ashtu, është cituar të ketë thënë se, qëndrimet e tij për moszbatim të disa pikave të Marrëveshjes, ua ka shprehur qartë disa bashkëbiseduesve evropianë. Një deklaratë e tillë e presidentit të Serbisë është në kundërshtim me deklaratat e kryediplomatit të BE-së, Josep Borell, se palët janë pajtuar për të gjitha pikat e Marrëveshjes, dhe për të gjitha pikat e aneksit për zbatimin e saj. Duke u përgjigjur në pyetjen se “a është e vdekur Marrëveshja, pasi njëra palë thotë se nuk do t’i zbatojë disa pjesë të saj”, zëdhënësi i BE-së ka thënë se “Marrëveshja është gjithsesi e gjallë dhe në lëvizje“.
“Përderisa nuk komentojmë deklaratat e mundshme, pa e njohur kontekstin, dhe pa dashur të hymë në komente të secilës deklaratë rreth kësaj Marrëveshjeje, dua të fokusohem në Marrëveshjen si të tillë. Të dyja palët, Kosova dhe Serbia, u pajtuan në Ohër që të nisin menjëherë zbatimin e të gjitha pjesëve të Marrëveshjes, përfshirë edhe aneksin. Kjo është ajo për çfarë jemi pajtuar. Ky është obligimi politik që të dyja palët morën dhe ajo që shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së presin nga ato”, ka thënë Stano, duke përsëritur se është shumë qartë se ajo për çfarë janë pajtuar palët, duhet të zbatohet.
“Pikat e Marrëveshjes, si dhe aneksi, do të përfshihen në kapitullin 35 të kornizës negociuese në rastin e Serbisë. Kjo do të thotë se Serbia ka obligim kontraktual që të zbatojë pikat e Marrëveshjes, nëse dëshiron të arrijë progres në procesin e anëtarësimit. Pra, kemi një marrëveshje dhe një obligim që ajo të zbatohet, pa zgjedhur pjesë të saj“, ka thënë Stano duke shtuar se moszbatimi do të ketë pasoja edhe për reputacionin ndërkombëtar.
Sipas tij, zbatimi është kyç për palët që të dëshmojnë se sa janë partnere të besueshme për BE-në dhe vendet anëtare. Mes tjerash, Stano ka thënë se do të monitorohet qartë niveli i zbatimit, dhe nëse nuk zbatohen pjesë të Marrëveshjes, do të ketë pasoja për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së, por edhe pasoja financiare.
“Monitorimi i zbatimit në terren, i veprimeve të palëve, do të jetë mjeti kryesor i Bashkimit Evropian, vendeve anëtare dhe bashkësisë ndërkombëtare, për të gjykuar përparimin, dhe a është apo jo marrëveshja gjallë. Dhe natyrisht do të ketë pasoja. Do të ketë pasoja politike, pasoja për reputacion por edhe pasoja financiare“ ka thënë ai.
Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar për Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve më 27 shkurt dhe për planin e zbatimit më 18 mars. Ndonëse ato nuk i kanë nënshkruar dokumentet, BE-ja ka thënë se marrëveshjet janë ligjërisht obliguese. Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Kosova dhe Serbia kanë arritur dhjetëra marrëveshje prej fillimit të dialogut, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje./rel