Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka rrëzuar vendimin e KQZ-së për fatin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 Majit.
Sot, KAS me relator Koli Belen morën vendimin për të regjistruar Partinë Demokratike në zgjedhje, me përfaqësues Enkelejd Alibeajn. Sipas tyre, Alibeaj duhet të plotësojë me emrin e tij dokumentacionin.
“Ankuesi të depozitojë në KQZ dokumentacionin shtesë si më poshtë: deklaratën me të dhënat për nënkryetarin, zotin Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar; deklaratën e angazhimit solmen të nënshkruar nga Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë, detyrimin e Komisionerit Shtetëror të regjistrojë subjektin zgjedhor Partia Demokratike, me nënkryetarin Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor brenda pesë ditëve nga shpallja e tij”, thuhet në vendimin e lexuar nga relatori i çështjes, Koli Bele.