Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në ambientet e një lokali në Vorë, ku një 48-vjeçar ka tentuar të vrasë me armë zjarri një person, pas një konflikti për motive të dobëta.
Uniformat blu raportojnë se 48-vjeçari, Edmond Picari është vënë në pranga pasi ka hyrë në ambientet e një lokali ku ndodhej një 39-vjeçar me inicialet E.P., dhe ka qëlluar me çifte në drejtim të tij.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Ndërhyrja”, për parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale.
Tentoi të vriste me armë gjahu një shtetas, në ambientet e një lokali, falë ndërhyrjes në kohë nga shërbimet e Policisë, kapet dhe vihet në pranga 48-vjeçari. Sekuestrohen arma e gjahut (çifte) me fishekë në fole dhe municion luftarak. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, ditën e djeshme, pas marrjes së njoftimit për një shtetas që po tentonte të vriste një shtetas tjetër, në një fshat të Vorës, menjëherë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Ndërhyrja”, për parandalimin e ngjarjes kriminale.
Falë ndërhyrjes në kohë nga shërbimet e Policisë, u kap dhe u ndalua shtetasi E. P., 48 vjeç, i cili kishte hyrë me forcë në ambientet e lokalit ku po qëndronte shtetasi E. P., 39 vjeç, dhe kishte qëlluar me armë gjahu në drejtim të tij, për motive të dobëta. Arma e gjahut, të cilën 48-vjeçari e mbante me leje, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një sasi municioni luftarak.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. P., 48 vjeç, banues në Vorë, për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.