Dy persona janë arrestuar në Tiranë, pasi i kanë grabitur para një 23-vjeçari.
Shtetasit me iniciale S. O., 19 vjeç dhe . Th., 23 vjeç akuzohen për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Mësohet se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë marrë nën kërcënimin e armës, shtetasit me iniciale K. Z., 1450 euro, një shumë lekësh, aparatin celular dhe biçikletën.
Sakaq uniformat blu i kanë sekuestruar 19-vjeçarit një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Escape”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë. Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 4. I vodhën, nën kërcënimin e armës, një shumë parash dhe biçikletën, një shtetasi, vihen në pranga 2 prej autorëve, njëri prej tyre me masë sigurie “Arrest në shtëpi”.
Shpallen në kërkim 2 bashkëpunëtorët e tyre. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, një shumë parash dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas njoftimit të marrë se në Selitë, disa persona të paidentifikuar, nën kërcënimin e armës, i kishin marrë shtetasit K. Z., 23 vjeç, një shumë parash dhe biçikletën, menjëherë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Escape”, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar. Si rezultat i këtij operacioni, falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 është bërë identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasve:
– S. O., 19 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
– R. Th., 23 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit:
– M. F., 23 vjeç, dhe E. S., 20 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë marrë nën kërcënimin e armës, shtetasit K. Z., 1450 euro, një shumë lekësh, aparatin celular dhe biçikletën. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit S. O. iu gjetën dhe iu sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit pistoletë, e dyshuar e përdorur gjatë vjedhjes dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve ka rezultuar se ky shtetas ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Vjedhja”, duke dalë jashtë banesës.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.