Konfindustria ka kërkuar nga ministria e Financave shtyrje të paraqitjes së pasqyrave financiare nga bizneset përtej datës 31 korrik të këtij viti.
Përmes një njoftimi për shtyp kjo e fundit bën me dije se kërkesa e tyre lidhet për shkak të problematikave që shkaktoi mbyllja e e-Albanias.
Sakaq kërkohet edhe një rishikimi i plotë i përmirësimit të procesit të fiskalizimit, nisur edhe nga problematikat e sistemeve qeveritare të teknologjisë së informacionit.
Njoftimi i plotë:
Konfindustria, duke marre shkak nga rënia dhe problematikat e mëdha të platformës qeveritare elektronike e-albania, i kërkon Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të marri nismën ligjore për miratimin e Aktit Normativ për shtyrjen e afatit të paraqitjes së pasqyrave financiare të bizneseve përtej detyrimit të datës 31 korrik 2022.
Mbështetur në të dhënat e ardhura pranë Konfindustrisë nga bizneset është plotësisht e pamundur teknikisht depozitimi i pasqyrave financiare. Në vazhdimësi në vite vështirësitë e paraqitjes në sistemet elektronike të e-albania ka qenë të pranishme dhe shqetësimet e biznesit kanë qenë të mëdha. Tashmë është krejtësisht e pamundur.
Në rast te mos shtyrjes së afatit ligjor të mësipërm me dhjetëra mijëra biznese të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj me qarkullim mbi 5 milionë lekë të ardhura vjetore do të gjobiten automatikisht me 60 mijë lekë. Gjithçka më sipër ndodh pa asnjë shkelje nga ana e bizneseve, por përgjegjësi e plotë e platformave qeveritare elektronike.
Shqetësimi është shumë i pranishëm për efikasitetin e investimeve në ndërtimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit në Shqipëri në vlera mbi 200 milionë $. Përveç problemeve të shumta teknike sistemi shqiptar i teknologjisë ka paraqitur dobësi të mëdha në mbrojtjen e informacionit të shtetasve, qeverisë dhe qytetarëve. Vetëm pak muaj më parë rrodhën informacione private të pagave, të targave të makinave dhe numrat e telefonit, që prekën qindra mijra qytetarë dhe biznese.
Konfindustria i kërkon ekzekutivit, që njëkohësisht me aktin normativ në fjalë, të fillojë edhe rishikimi i plotë i përmirësimit të procesit të fiskalizimit, nisur edhe nga problematikat e sistemeve qeveritare të teknologjisë së informacionit.
Gjergj Buxhuku
Administrator i Përgjithshëm