Pak javë më parë Erald Sina, Drejtues i Departamentit të Zyrave dhe Pasurisë dhe Artan Pullazi, Team Leader pranë kompanisë telefonike “ONE Albania”, u arrestuan nga Policia e Tiranës në kuadër të një operacioni të madh antidrogë që u zhvillua dy netë më parë. Si rezultat i operacionit u sekuestruan rreth 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë; 10 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 100 doza të kësaj lënde; 5 automjete; 28 celularë; 6 peshore elektronike dhe 3 000 euro.
Por kush është Erald Sina?
Erald Sina, Drejtues i Departamentit të Zyrave dhe Pasurisë pranë kompanisë “ONE Albania”, është marrë nën hetim disa muaj më parë për fshehjen e një incidenti të ndodhur në ambientet e kompanisë.
Më 25 dhjetor 2024 rreth orës 02:30, dy shtetas të maskuar hynë në pikën e ONE Albania në zonën e Laprakës dhe dëmtuan drynin e derës së pasme. Ngjarja u konstatua nga punonjësi i sigurisë Gentian Koçi, i cili ka deklaruar se nuk janë marrë sende dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.
Incidenti nuk u njoftua menjëherë tek organet e ligjit, por vetëm tek drejtuesit teknikë dhe grupi privat i sigurisë së kompanisë.
Bëhet fjalë për një ngjarje që ka ndodhur pikërisht në kulmin e zhvillimeve që vinin nga Prokuroria e Posaçme, ku në kushtet kur kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i vëllai i tij Arbër Veliaj dhe vetë kompania “One” po hetohen për afera të pista, kjo ngjarje e dëmtimit apo heqjes së serverëve, në vetvete dhe mos reagimi i institucioneve e mos bërja publike e faktit ngre dyshimin që vërtet po tentohet t’i fshihet diçka SPAK-ut. Vlen të kujtojmë se në kompaninë “One Telecomunication” punojnë edhe disa familjarë të njerëzve të veshur me pushtet dhe të gjitha të dhënat të çojnë në dyshimin se po përpiqen të fshehin provat ndaj institucionit të akuzës, SPAK!
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po heton marrëdhëniet mes kompanisë “One Communication” dhe “Gogel”, e cila drejtohet nga Arbër Veliaj. Në qendër të hetimeve janë dyshimet për favorizime apo ushtrim të ndikimit të paligjshëm nga ana e Veliajt për të siguruar kontrata.

Sipas dokumenteve hetimore, kompania “One” paguan Arbër Veliajn për marketing dhe promovim, ndërkohë që fiton tendera (pa garë) në Bashkinë e Tiranës, e drejtuar nga vëllai i madh i familjes Veliaj, Erioni. SPAK ka zbuluar se një kompani sigurimi dhe “One Communication” kanë pasur marrëdhënie kontraktuale me “Gogel” në vlerë prej 5 milionë eurosh.
“Nga hetimi rezulton se klienti kryesor i ‘Gogel shpk’ është shoqëria ‘One Albania’, me një total shitjesh prej 551.639.924 lekë të reja”, thuhet në vendimin e gjykatës për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Erion Veliaj.
Në vijim, në vendimin e Gjykatës së Posaçme jepen detaje të përfitimeve që ka marrë kompania “One” nga bashkia e Tiranës, nën drejtimin e Erion Veliaj.
Hetimet e SPAK-ut vijojnë për të zbardhur të gjitha detajet e kësaj skeme dhe për të përcaktuar shkeljet ligjore.
©infonewa.al
